Petkoviq: “Kurti po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”

Beograd, 29 qershor 2022 – Qeveria e Serbisë reagoi ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që targat e automjeteve të serbëve të Kosovë që janë të regjistruara në Serbi të zëvendësohen me targa të Kosovës dhe vendimit për reciprocitet në qarkullimin ndërkufitar të qytetarëve me  dokumente personale të lëshuara në Serbi.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka akuzuar rëndë për këto vendime kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Me vendimet e fundit të njëanshme të institucioneve në Prishtinë për targat dhe letërnjoftimet serbe, Albin Kurti krejtësish hapur kërcënoi me luftë serbët në Kosovë e Metohi”, ka thënë Petkoviq.

Në deklaratën e Zyrës që e drejton Petkoviqi, qytetet e Kosovës (Mitrovica, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, etj.) cilësohen “qytete serbe”.

“Vendimi i institucioneve në Prishtinë për ndalimin e letërnjoftimeve serbe, për të hequr vlefshmërinë e targave me emërtimet e qyteteve serbe: “KM”, “GL”, “PR”, “UR” e të tjera pas datës 30 shtatorit, bashkë me paralajmërimin se pas skadimit të këtij afati këto automjete do të konfiskohen, përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj të gjithë serbëve, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit”, thuhet në deklaratë.

Petkoviq i ka akuzuar edhe faktorët ndërkombëtarë për mungesë reagimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, duke i cilësuar si “bashkëfajtorë” për “destabilizim të ri” të situatës në Kosovë.

“Është e papranueshme që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të heshtin dhe të shtiren si të ngathët ndaj një kërcënimi të tillë konflikti dhe hakmarrjeje, ndërsa Albin Kurti po përgatit fillimin e një konflikti të madh dhe një sulmi ndaj serbëve në fund të shtatorit. Me heshtjen e tyre, ata bëhen bashkëfajtorë direkt për destabilizim të ri të situatës në terren, me regji të Albin Kurtit, përmes vendimit të njëanshëm të autoriteteve në Prishtinë”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Petkoviq thekson se “serbët e Kosovës e Metohisë nuk do të lejojnë të persekutohen, të vriten e t’u konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë legjitime dhe këtë duhet ta dijnë mirë të gjithë, në Prishtinë dhe në Bruksel”.

(r.m.)