Pezullohet nga detyra dhe nis hetimi për policin që dhunoi gazetarët dhe operatorët

Gazetarët dhe operatorët (kameramanët) u dhunuan në një zonë në malin e Dajtit në Tiranë ku u gjet i vrarë biznesmeni Ruzhdi Hoxha i zhdukur prej thuajse 15 ditësh
 
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi se në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë pasditen së sotme 6 nëntor 2021 me disa gazetarë, në Qafë Mollë pranë malit të Dajtit, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë Sh.T.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.
 


Policia e Shtetit i konsideron marrëdhëniet me median si prioritare në funksion të mirë-informimit të publikut dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo punonjës police që performon sjellje të pahijshme duke shpërdoruar detyrën në dëm të imazhit të Policisë së Shtetit dhe cënimit të marrëdhënieve me mediat e qytetarët.
 
Sakaq, Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa (SHÇBA) tha se në lidhje me sjelljen jo korrekte të disa punonjësve të policisë me përfaqësues të mediave, e në veçanti me gazetaren Anila Hoxha gjatë raportimit të një ngjarje kriminale, ka nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shfaqur sjellje jo etike e konform detyrës.
 
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
 
Gazetarët dhe operatorët (kameramanët) u dhunuan në një zonë në malin e Dajtit në Tiranë ku u gjet i vrarë biznesmeni Ruzhdi Hoxha i zhdukur prej thuajse 15 ditësh.
 

Pa kurrfarë arsyeje, efektivi i policisë që pretendohet të ishte në përmbushje të detyrës pa përdorur as sharje dhe as dhunë, i shtyu gazetarët e televizionit “Top Channel” kur qëndronin në anën e duhur të shiritit ndalues të rrethimit të zonave në mbikqyrje të vendngjarjes.

Gazetarja Anila Hoxha dhe operatori Endri Kurti të televizionit “Top Channel” si dhe një tjetër operator i televizonit “ABC News” nga e shtyra pa asnjë shpjegim e efektivit policor u rrëzuan në një rrëpirë që mund t’u rrezikonte jetën.

E shtangur nga dhuna e shtetit me uniformë, kolegia Anila Hoxha iu drejtua efektivit me fjalët: “Polic je ti ore? Çfarë je ti more?! Shtyn gazetarët si injorant! Nuk të vjen turp! Nuk e keni fajin ju! Fajin e kanë ata që ju mbajnë në punë! Do të të denoncoj!”, – raportoi korrespondenti i “ILLYIRA”-s Knid Ndrenika nga Tirana.
 
Në lidhje me zbardhjen e rrëmbimit të 43-vjeçarit Ruzhdi Hoxha dhe gjetjen e tij, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
 
Si rezultat i kërkimeve dhe punës hetimore 10 ditore të bërë nga grupi hetimor në Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë u bë e mundur grumbulllimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe mesditën e djeshme si rezultat i kërkimeve, shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha.
 
Nisur nga gjithë provat e grumbulluara, paraditen e sotme, Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Nr.4, Forcat “Shqiponja”, FNSH dhe Instituti i Qenëve të Policisë nën koordinimin e Deparatamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një operacion kërkimi masiv në të gjithë zonën e Dajtit.
 
Si rezulat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës u bë e mundur që në Qafë-Mollë , mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavor e gurë trupi i pajetë i shtetasit Ruzhdi Hoxha. Trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.
 
Ndërkohë, po si rezultat i punës hetimore të kryer nga Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje, ku dyshohet se shtetasi Fredi Rrushi , i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë , si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.
 
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjore të kësaj ngjarje dhe të kryerjes se procedurave ligjore për ndalimin e autorit të kësaj ngjarje.

Comment

*