Pezullohet puna për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës

Prishtinë, 8 shkurt 2022 – Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) njpftuan se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

“Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë edhe mundësinë për të përdorur situatën aktuale si mundësi që të adresohet hapur e kaluara përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet e rëndësishme”, thuhet në një njoftim të përbashkët të BE-së dhe UNDP-së.

“UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e shumta të tyre, përfshirë edhe rritjen e intolerancës ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar që të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin dhe të luftojmë dezinformimin”, thuhet në njoftim.

Ky vendim vjen pas kundërshtimeve të restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, figura e të cilit lidhet me krimet që kanë kryer nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 1 shkurt, BE-ja, UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishin njoftuar për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.

UNDP-ja dhe BE-ja thanë se qëllimi i projektit ka qenë që të sjellë komunitetet së bashku dhe të kontribuojë në kohezionin shoqëror, duke përdorur trashëgiminë kulturore si një instrument për dialogun midis komuniteteve.

(r.m.)