Philadelphia: Festat e fundvitit në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”

Shfaqja u hap me Himnin e Flamurit të kënduar nga grupi i nxënësve të shkollës dhe të shoqëruar nga të gjithë të pranishmit

 

Erblina Koka

Dy herë në vit na jepet mundësia të ndjekim një shfaqje të shkurtër nga nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia. Shfaqja e parë jepet në fund të vitit kur nxënësit marrin pushimet e dimrit dhe tjetra në mbarimin e vitit shkollor. Viti 2012 qëlloi një vit i rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar dhe kjo u ndje edhe tek shkolla jonë. Nxënësit tanë nga viti në vit, me ndihmën e mësueseve, përgatitën për të recituar vjersha e për të kënduar këngë para prindërve dhe shokëve e shoqeve të klasës. Këtë vit ata ishin përgatitur shumë bukur dhe lanë përshtypje të mira tek të gjithë ata që ishin të pranishëm.
Shfaqja që u bë më 23 Dhjetor 2012, u hap me Himnin e Flamurit të kënduar nga grupi i nxënësve të shkollës dhe të shoqëruar nga të gjithë të pranishmit.
Z. Sadik Elshani përshëndeti prindërit dhe tha se shkolla shqipe është veprimtaria kryesore e shoqatës. Ai nuk u zgjat shumë dhe programin e morën përsipër Irimi Ramizi dhe Vionis Gjoni, dy nga nxënësit më të rritur të shkollës. Ata prezantuan nxënësit e klasës së parë që me zërat e tyre të bukur recituan vjershat “Ylli vogël lart në qiell”, “Babai”, dhe deri tek vjersha e shumënjohur “Për një shkronjë”. Ndonëse mesuesja e tyre, Irini Zeneli, nuk mund të ishte e pranishme sepse kishte fejesën e djalit, nxënësit e saj e treguan më së miri punën që ajo kishte bërë nga fillimi i shkollës në shtator e deri tani, në dhjetor. Shqiptimi i fjalëve të gjuhës sonë, ishte aq i bukur saqë kur mbaruan Z. Vlashi Fili iu tha të gjithë të pranishmëve: “Mendoni për një çast disa vite më vonë. Anëtarët e Këshillit Drejtues të Shoqatës do të jenë pikërisht këta vogëlushë”.
Jetojmë jo në vendin tone, ku gjuha shqipe është gjuhë e huaj, dhe kur i shohim këta vogëlush, që jo vetëm vijnë me dëshirë në shkollën tonë por dhe gjuhën shqipe e mësojnë me dëshirë, është një ndjenjë e bukur se puna e palodhur e kryesisë për të mbajtur shkollën hapur për kaq vite me rradhë është një sukses i madh për komunitetin shqiptar të Filadelfias.
Më pas të gjithë nxënësit së bashku kënduan këngën e vitit të ri dhe pastaj ishte rradha e klasës së dytë me mësuese Majlinda Tahiraj. E filluan Sesilia me vjershën “Shqiponja” dhe Arisi me vjershën “Sa të dua o Shqipëri” e kështu me rradhë recituan dhe nxënësit e tjerë.
Klasa e tretë e mësueses Kozara Doku filloi me Nadian, Vionisin dhe Irinin që thanë disa gjëagjeza dhe fjalë të urta popullore dhe pas këtyre secili nxënës recitoi nga një vjershë. Që kur erdhi në fillim mësuese Kozara, ajo la përshtypje të mira menjëherë. Nuk punonte me nxënësit vetëm në shkollë por filloi ti kontaktonte ata edhe jashtë orarit të shkollës, gjë që linte të kuptoje se sa shumë e adhuronte punën e saj. E bukura e këtij programi ishte skeçi që kishin përgatitur nxënësit e mësuese Kozares, që kur mbaroi nuk mbeti njeri pa qeshur. Ishte skeçi i Benit që nuk pranonte të hante bukë pa i rënë gjyshi daulles. Rolin e gjyshit e luajti një vogëlushe që do jetë nxënëse e ardhshme e shkollës tonë. Skeçi vijoi si më poshtë…
Keni parë a s’keni parë,
në pallat kemi një djalë.
Prindërit halli i ka zënë,
se bën naze për të ngrënë.
Në guzhinë e në ballkon,
e ndjekin me pjatë në dorë.
– Qejfin mamit mos ja prish, ha tu bëfsha një thelë mish.
– Unë s’e ha një thelë mishi, po si ra daulles gjyshi!
– Ç’thua kështu more Beni? Ku ta gjejmë? Daulle s’kemi.
– S’ka daulle?
– Jo nuk ka.
– E po mirë, dhe unë nuk ha!
E menduar flet mamaja,
– O gjysh na gjeti belaja.
Që ti behet qejfi Benit,
Gjyshi i bie legenit.
Të fundit fare ishin më të mëdhenjtë e shkollës, klasa e katërt dhe e pestë e mësuese Rajmonda Bardhit. Dy nga këta nxënës jo vetëm që shqipen e kanë mësuar shumë mirë por ata shfaqën dhe talentet e tyre në muzikë. Sara Matraku dhe Angelina Sali luajtën së bashku dy pjesë të shkurtra në piano me muzikë të krishtlindjeve. Të dyja vajzat e kishin mësuar mirë pianon dhe morën duartrokitje të forta. Po ashtu, edhe vëllezërit Vionis dhe Aris Gjoni luajtën së bashku një pjesë muzikore, Arisi në violinë dhe Vionisi në violinçel.
Pas mbarimit të programit, erdhi rradha e dhuratave.
Zoti Llazar Vero falenderoi prindërit për punën që bëjnë ata për ti sjellë fëmijët e tyre në shkollë. Vlashi Fili shtoi një falenderim të veçantë për z. Fatmir Minga, babai i Enxhit dhe Silvës, i cili ka treguar një korrektësi për tu admiruar duke sjellur fëmijët e tij në prova për koncertin e pavarësisë së Shqipërisë. Kështu edhe njëherë, ata shtatë nxënës që kënduan në festën e pavarësisë, kënduan këngën e tyre “Gjuha Jonë” duke i ndjekur me fizarmonikë mësuesi i tyre, kompozitori Hamdi Gjana. Irini, Enxhi, Nadia, Vionisi, Arisi, Silva dhe Angelina morën të gjithë nga një dhuratë nga Këshilli Drejtues i Shoqatës për punën e tyre të bukur.
Mësuese Kozara gjithashtu kishte sjellur disa dhurata për nxënësit e klasës së saj por edhe për disa të klasave të tjera, një surprizë e bukur kjo për fëmijët dhe prindërit e tyre.
Si zakonisht shoqata kishte blerë disa ushqime dhe pije freskuese për nxënësit, bashkë me një tortë për të festuar mbylljen e vitit 2012 dhe fillimin e pushimeve dimërore, për tu rikthyer përsëri më 6 Janar 2013.
Mbas koktejlit, nxënësit u përshëndetën me mësueset dhe me shokët e shoqet e klasës dhe i uruan njëri tjetrit pushime të mbara për tu takuar përsëri në 2013.
Filadelfia, 23 Dhjetor 2012
Erblina Koka është N/kryetare e Parë e Shoqatës