Philips dhe Serwer: Greqia ka gjasa ta njohë pavarësinë e Kosovës

Prishtinë, 11prill 2021 – Ekspertët e politikave ndërkombëtare thonë se nuk presin që pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të ndryshojnë qëndrim, përveç Greqisë, e cila ka gjasa të ndryshojë qëndrimin.

Ata thonë se duhet të pritur derisa të përfundojë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që të shihet pozicioni i këtyre shteteve të BE-së.

Ekspertët e politikave ndërkombëtare, David Phillips dhe Daniel Serwer, kanë thënë për TV Dukagjinin se nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovës, Greqia ka gjasa të ndryshojë qëndrim.

“Greqia ka shumë të ngjarë të njohë Kosovën. Muri i krijuar nga 5 shtetet mosnjohëse do të shembet së shpejti, pasi Greqia ose ndonjë vend tjetër të vendosë ta njohë Kosovën. Greqia, në ‘Agjendën 2014’ propozoi integrimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në stukturat Euro-Atlantike. Megjithëse unë shpresoj që Greqia do të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, ne nuk mund të injorojmë lidhjet e ngushta të saj me shtetin serb. Këtë të fundit Greqia e mbështet fuqishëm që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, ka thënë Phillips.

Edhe Profesori Daniel Serwer ka thënë se Greqia mund ta njohë Kosovën, por nuk pret që shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën ta ndryshojnë qëndrimin e tyre para se të arrihet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisѱ.

“Greqia duket më e parashikueshme se të tjerat shtete, por sigurisht që çdo marrëveshje e statusit përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të sjellë njohje nga pesë shtetet mosnjohëse. Por, unë nuk e shoh që kjo të ndodhë shpejt”, ka thënë Serwer.

Ndërsa, raportuesja për Kosovën në parlamentin evropian Viola Von Cramon, ka thënë se nga bisedimet që ajo ka pasur me kolegët e saj nga pesë shtetet mosnjohëse ka kuptuar se qëndrimi i tyre do të ndryshojë kur të përfundojë procesi i dialogut.

“Çdo lloj marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës do t’i bëjë ata të ndryshojnë. Sigurisht, unë do të doja të shihja qëndrimin e tyre duke ndryshuar edhe më herët, por kjo është e vështirë të ndodhë. Nga ana tjetër, ekziston një ndryshim midis atyre vendeve, të cilët janë akoma në gjendje të bashkëpunojnë dhe të punojnë së bashku me Kosovën dhe atyre vendeve që për shkak të arsyeve të brendshme e kanë të vështirë të punojnë së bashku me Kosovën”, ka thënë Cramon.

Vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

(r.m.)