Piknik përmbyllës i një proçesi mësimor plot sfida



Në përmbyllje të vitit akademik 2020-2021 Albanian-American Dual Language & Culture dhe Shkolla Shqipe “Children of the eagle” nën kujdesin dhe  drejtimin e Zonjës Drita Gjongecaj, organizuan një piknik me pjesmarrjen e mësuesve, nxënësve dhe prindërve në një prej parqeve të gjelbërt të Nju Jorkut.
E konceptuar si një veprimtari ku do të përjetoheshin në pak orë shumë prej elementeve të përmendura teorikisht gjatë proçeseve mësimore apo komunikimeve mes rrjetit të mësuesve gjatë trajnimeve të shumta  që AAD&C ka realizuar gjatë këtyre tri viteve , pjesmarrësit :të rritur dhe fëmijë  përjetuan nga afër muzikën tradicionale shqiptare, ushqimet karakteristike, vallet tona duke i praktikuar në terren ato ,lojra me dorë, ecje në grup, biseda, kujtime të një viti mësimor mbushur me sfida të paimagjinueshme për shkak të pandemisë.
Natyra ,pritësja e kësaj veprimtarie mësimore edukative dhe argëtuesve zëvëndësoi për pak orë librat, kompjuterat , telefonat, aplikacionet duke i afruar fëmijët me njëri – tjetrin në një formë reale , larg virtualitetit dhe praktikave digitale çka ndodh sot rëndom në jetën e përditëshme.
Të pyetur se si e përjetuan një ditë si kjo , pasthirrmat e tyre gazmore ishin përgjigja më e mirë e fëmijëve pjesmarrës si  Alfonsi, Klarenti, Enki, Alexia, Lodi, Georgio, Endriti, Fisniku, Kaoni, Roi, Fatmiri dhe Aroni.
Ndërsa mësuesit ndajnë mendime dhe opinione për vitin që lan pas, projektet e vërës , pushimeve dhe shkollës që do të rifillojë përsëri.
Prindërit mbeten falenderues që shkolla shqipe vijoi edhe këtë vit mes vështirësive të shumta, duke iu ofruar fëmijëve jo vetēm dije konceptuale dhe praktike mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare por duke i shndërruar ata në protagonistë , interpretues dhe aktorë të disa veprimtarive që AADL& C ka realizuar këtë vit akademik paralelisht me proçesin mësimor pranë selisë së  Vatrës.
Kjo veprimtari ishte vazhdim i përpjekjeve sistematike që AADL& C  organizon me nxënësit, pjestarët e Bordit drejtues, rrjetin e mësuesve profesionistë , prindërit dhe komunitetin shqiptaro-amerikan si një ftesë e hapur për më shumë kontribute në funksion të misionit historik të përbashkët mbi ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe historinë tonë brezave të ardhshëm.

Marjana Bulku