Pikniku “Dita e Traditës Shqiptare – New York 2013”

Nga Beqir Sina

Çdo vit, komuniteti shqiptaro-amerikan i zonës së “Tri-Shteteve” (NY-NJ-CT), organizon një piknik të shënuar si Dita e Traditës dhe Trashëgimisë Shqiptare, një festë e gjallë e muzikës shqiptare, valles tradicionale, simboleve tona kombëtare, aktiviteteve sportive, kulturore e artistike dhe ushqimesh.
Kësaj të diele ai është mbajtur në një parqet më të mëdha publike në këtë Westchester, Kensico Plaza Dam, nën kujdesin e Departamentit të Parqeve të Argëtimit të Qarkut Westchester dhe Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” në Kishën Katolike Shqiptare – Zojës së Shkodrës. Sipas organizatorëve morën pjesë rreth 3500 – 4000 vetë.
Përveç famullitarit Dom Pjetër Popaj dhe meshtarit Dom Viktor Dedaj, ishin të pranishëm edhe edhe dy meshtarë nga Shqipëria, Dom Ernest Troshani dhe Dom Gjergj Meta. Prefekti i Qarkut Westchester, z. Rob Astorino me disa punonjës nga zyra e tij, moren gjithashtu pjesë në piknik. Zoti Astorino, me fjalë të zgjedhura i përshendeti të pranishmit, duke i ftuar edhe ata që nuk janë banorë të Westchester-it sot ta ndiejnë vetën në shtëpinë e vet, ta ndjenë “veten pakëz shqiptarë” në këtë “sofër” gjigande të krenarisë dhe bujarisë shqiptare.
Ceremoninë e hapi drejtuesi i aktivitetit, z. Fran Çotaj, duke ua uruar mirëseardhjen të gjithëve dhe duke prezantuar orkestrën “Toska” dhe këngëtarët Gëzim Nika, Kela Deda, Lisa Junçaj dhe Aferdita Hoxha, të cilët vazhduan argëtimin deri në mbyllje, në orën 7 të mbrëmjes.
Piknikun festiv e gjallëruan edhe më shumë grupi artistik “Rozafati” i Qendrës “Nënë Tereza”, me drejtoreshë Gina Çotaj dhe koreografe Angjelina Nika. Kurse shumëtë rinj e të reja, pa ndonjë lidhje me ndonjë grup artistik, të cilët ishin veshur me kostume popullore iu bashkuan vallëtarëve në vallëzime.
Mark Shkreli Drejtor i Qendrës “Nënë Tereza” thotë se afrimi i të rinjve në aktivitete të tilla ka qenë një qëllim kryesor i organizatorëve, në mënyrë që këta të rinj e të reja, të ruajnë traditën dhe kulturën shqiptare.
Në orën 7 të mbrëmjes kur ra sipari i Piknikut “Dita e Traditës Shqiptare – New York 2013”, u dorëzuan trofetë dhe medaljet fituesve të futbolit. Të renditur sipas suksesit: në vend të parë skuadra Albanian Brothers, me lojtarë nga i gjithë komuniteti i New Yorkut, në vend të dytë Cemi nga Malsia-New York dhe në vend të tretë skuadra e djemve të Kelmendit nga New York-u.
(Fotografitë nga Kisha Katolike Shqiptare – Zojës së Shkodrës)