PO SHKOJMË DREJT SHOQËRIVE TË KASOLLEVE DHE GRADAÇELAVE

Nga Xhovan SHYTI

Pas rreth tridhjetë viteve në paskomunizmin anarkik, konstatohet se falë politikave të mbrapshta jeta për pjesën dërmuese të shqiptarëve është bërë një makth ekonomiko-financiar, ndërsa shtresa e mesme po shkon drejt pikiatës së varfërisë, ndërkohë që 0.5 % e njerëzve kanë të përqëndruar në duart e tyre pasuri maramendëse.

Kemi hyrë në rrugën e shoqërive dy polare me tej të pasuri dhe ekstremisht të varfër. Po shkojmë drejt shoqërive të kasolleve dhe gradaçelave. Po vijuam kështu do indianizohemi, do amerikano-latinizohemi, do afrikanizohemi… Medemek do katandisemi njësh me popullsitë e vëndeve ku shtresëzimi pasuror i popullsisë kalon nga gradaçielat e luksit farfuritës tek kasollet e varfërisë ekstreme dhe jeta midis plehrave.

Deri në vitin 2009 nuk kemi qenë të tillë. Nuk shquheshim për masivitet niveli të lartë jetese, por kishim arritur nivelin e një sistemi shoqëror tre polar ku jo se të pasurit e të varfërit ishin joekzistentë, por ku shtresa e mesit të artë, jo vetëm nuk ishte zhdukur por ishte sunduese dhe përfshinte pjesën dërmuese të popullsisë. Një strukturë shoqërore e pranueshme për vëndet në zhvillim të dala nga komunizmi disadekadësh, e ngjashme me atë të vëndeve perëndimore drejt të cilave përralla politike thotë se do të na shpjerë. Pasi në vend që të vijonim drejt konsolidimit të kësaj rrugë jemi kthyer drejt dypolarizmit me të pasur e të varfër ekstrem.

Nëse këmbanat e para të zbritjes u ndjenë në dy vjeçarin e fundit të qeverisë Berisha 2, pasvitet 2013 të qeverisjeve Rama 1,2 kanë qenë katastrofik për thellimin e grehinës ndarëse të distancimit social. Ndonëse midis 2014-tës dhe 2019-tës rritja mesatare vjetore e PBB-së raportohej se ishte 3 %, varfëria raportohej se ishte ulur me vetëm 1 pikë përqindjeje?! Në vend të “rilindjes”, rilindasit e varfësisë e kanë katandisur këtë popull në pikë të hallit. E kanë katandisur në atë farë derexheje sa të gëzojë kur dikush i ofron ca para për t’i blerë votën e pavlerë që t’u sjellë ndryshimin e përmirësimit të jetesës.

I vetmi trend qeverisës i pandryshuar në këtë kalvar cfilitësh mbeten taksat. Rritja dhe shtimi pa sens kushtetues i tyre dhe ndëshkimi antinjerëzor i të tejvarfërve refuzues nga e keqja. Varfëria e rritur e shqiptarëve u raportua edhe në Forumin Ekonomik Botëror të vitit 2017, duke qenë përgjigja më e pakontestueshme për qeverisjen që pretendonte “rilindje” dhe që në vend ta orientonte politikën qeverisëse drejt këtij objektivi, ka vijuar avazin. Domethenë ka vijuar aplikimin e politikave varfëruese të shumicës dhe tejet pasuruese për pakicën e papërfillëshme, duke na servirur jo rilindjen e shtresës së mesme, por shtimin e varfërisë vrasëse. Shtimin e të varfërve edhe me 112 mijë të tjerë të rinj gjatë vitit 2020 dhe rreshtimin e Shqipërisë në vendin kryesues të listës së Ballkanit. Konfirmimi këtë herë vjen nga ekspertët e Bankës Botërore, në raportin më të fundit të të cilëve Shqipëria rezulton të ketë nivelin më të madh të varfërisë në Ballkanin Perëndimor, me rreth një të tretën e njerëzve të saj që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë (në PPP 2011-prodhimi i brendshëm bruto për frymë bazuar në standardin e fuqisë blerëse).

“Në variantin konservativ, gati një e treta e të varfërve të shtuar në rajon i përket Shqipërisë”, siç shënon “Monitor”, revista e profilizuar për fushën e ekonomi-financave. (Arberianews.net)