Poeti Cana që zbërthen me kode gjuhën e bilbilit

Nga Keze Kozeta Zylo

Bilbilit kush ja di gjuhën,

Të më thotë mua dy fjalë!

T’i këndoj mikes së zemrës,

T’ja them, t’a kërrejë mallë!

Poeti Danel Cana me penën e tij ka sjellë para publikut një sërë librash me poezi, publicistike, fabula, roman.  Do të ndalem në poezitë e tij lirike, që janë dhe perëndesha e frymëzimit tim për të shkruar këtë ese rreth krijimtarise së tij brilante.  Në majën e dritës së krijimtarisë hedh si vetëtimë përflakëse për vashën flokë bukur si tëndë.  Vargu krahasues me sevdanë e sevdave e bën poetin t’i çahet zemra më dysh për bukurinë mahnitëse të vashes dhe t’I thurr vargje me metafora sa syri t’i djersisë. 

Dhe ja si i këndon në poezinë: “Flokë bukura si tëndë”:  Flokë bukura si tëndë/ Veron një kope e tërë/ Kur i shoh mbetem pa mëndë/ Aty gjumi të më zërë. 

Mjeshtërisht di të perdorë artin popullor dhe të sjellë koloritin lokal të trevës së Vagalatit, Tepelenë prej nga është poeti si: Trupi yt porsi lastarë/ Si purteka e lajthisë/ Aty syri të djersisë/ Të ti prek pak ato sisë/ Si gjëmbat e kulumbrisë. 

Duke lexuar këtë lirikë të arrirë Danel Cana të kujton poetin e shquar Ali Asllanin i cili në poezinë “  Pyeta valët vogëlushe” shkruan:  Pyeta valët vogëlushe/ mu si krahët e një gushe/ përmbi supe nga një shkumë/ kush më pak e kush më shumë/ venë e vinë e shkojnë e shkasën/ dhe përhera për ty flasën. 

Poeti Cana sjellë pranë ne lexuesve reflektim drithërues, duke u zhuritur në mallin për vendlindjen atë që na kanë lenë amanet të parët tanë urtësinë dhe dashurinë për trojet.  Ai shkruan: “Tepelenë sa të dua/ o vëndi ku puthen retë/ Erë edhe stuhi të bëhen/ të maten me Bilbilejtë/ Vend i trimave të sertë/ që shkëlqyen histories”.

Poeti Cana është patriot, atdhetar me zemër të zjarrtë që edhe pse i mërguar pena i shkruan për Shqipërinë, Vlorën legjendare, Vlorën e Flamurit, Vlorën e Atit të Pavarësisë së Kombit. Le ta lexojme: “Veshur rroba nusërie/ O Vlora ime me derte/ Buzë Jonit Fanar ishe/ Fanar në histori mbete”!

Poezitë e tij sjellin shqetësimin qytetar, shqetësimin e një shqiptari që shpesh Europa, liderët e saj kanë dashur ta largojne edhe pse vendi ynë është në zemër të Europës, është histori e saj.  Poeti Cana thotë se vetë Zeusi, Perënditë e Olimpit janë përulur për Pellazgët, kulturën, gjuhën e tyre ndaj ai shkruan: “Vetë Zeusi u përkul/ Të puthi gushën dhe gjinë/ Magjepsur ish’ pas bukurisë/ Të fali dashurinë/ Ti bijë e bukur e Telefesës, copë e zemrës tij/ Mbi ty Evropë e hodhi dritën dhe gjithë Pellazgjinë”!

Metaforat e tij pikturojnë portrete të një jete të jetuar apo në imagjinate të përkushtuar për të qenë sa me i vërtetë me vehten.

Dhimbjet e tij filluar me Vagalatin piktoresk nga natyra, por në harresë nga shteti janë dhimbje dhe klithje universale poetike që zgjojnë të përgjumurit e kujtesës dhe ngre një shkallare vuajtjesh që e pamundur t’i kapësh dot dhe as t’i zbresësh në tokë…

Intuita e tij poetike shfaqet me një harmonizim si në tingëllimin kuptimor, leksikor e fonetik.

Arti në këto poezi ka muzikalitetin dhe mjaltëzimin e sensualitetit femëror.  Vargjet janë gjithë reflekse ujëvarash, janë këngë burimesh që pikojnë nga gjinjtë e maleve hijerëndë të Tepelenës.

Burimet janë dritë, janë këngë, shuajnë etjen, ndezin zemrat dhe frymëzojnë poetët si Cana. 

Unë i kam lexuar me vemendje poezitë dhe shijova emocionin e sinqertë dhe nuk u mbyta në zhguallin e artit nën klishetë moderniste të akullta, dogmatike dhe moralizime.

Poezia e Canaj doemos që ka ndikime dhe prej poezisë popullore, prej artit të aristokrateve të fjalës që e sjellë poezinë e tij prej kozmocentrizmit në homocentrizëm.

Ai ngre në art kultin e vendlindjes, të familjes, të nënës fisnike mezhgoranase etj. Poezia e tij është shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, dhe i fjalës së bukur. 

Shqetesimet i sjellë natyrshëm në art, por dhe me një Mea Culpa se nëse do të kishte gjë në dorë, do të kishte sjellë ndryshimin.

Me mjaft elegancë dhe dashuri ka sjellë respektin dhe delikatesën e Vasilliqisë, zonjës së bukur të Ali Pashë Tepelenës e cila i qëndroi besnike deri në fund të jetës së tij.  Tronditja e saj kur pa kokën e prerë të Aliut të saj nga turqit drithëroi çdo pasha dhe shkrimtar në Europe, doemos dhe poetin Cana i cili e përshkruan si më poshtë: “Kapedane sypatrëmbur/ nuse Epiriote/ Në kamare vendos lule/ rrotull asaj koke/ Përmbi ty, o Mjekërr Artë/ Kapedani im/ Nuk e zë vëndin në zemër/ më i miri trim/ Lehtë përmbi ball vendosi/ një monedhë prej Ari/ Zakon i të parëve tanë, traditë shqiptari”.

Poeti Cana është një lirik i kohës dhe vazhdon pa u ndalur për të zbërthyer vetëm me kode gjuhen e bilbilit dhe bilbilat nuk i zëvendëson asnjë zog, sepse këtë privilegj e kanë vetëm poetët e vërtetë. Metaforat e përdorura që duket sikur shkruhen dhe këndohen me fyellin e brinjve bëhen simfoni: “Melodi si erë të bëhem/ Të fluturoj ku të dua/ Bashkë me vesën e mëngjesit/ Të rri mbi buzët e tua!” 

Poezitç kanç një harmonizim dhe një përshtatje të bukur leksikore dhe fonetike duke u përshtatur artistikisht me muzikalitetin që vihen në shërbim të mesazheve qiellore dhe tokësore.  Ato sjellin si dritaret me kanate me pamje nga pemët e gjelbërta, dritëzimin në çdo skaj, dhe të lëbyrin sytë nga dielli që ngroh fshehurazi një guguftu si: “T’më përkëdhelësh me ëndje/ Melodi si erë të bëhem/ Të fluturoj ku të dua/ Bashkë me vesën e mëngjesit/ Të rri mbi buzët e tua”!

Tematika e poezive të tij janë më së shumti meditative-filozofike, erotike dhe atdhetare.

Poezia atdhetare e Canaj është klorofili dhe ushqimi i jetës.  Lidhja e pashmangshme me vendlindjen, e bën dhe më human dhe natyrshëm më krenar për Kombin,

Në poezitë e tij shpesh ndjen se futesh në një laborator ku ndizen proceset kimike dhe mundohesh të spjegosh misteret që sjellin figurat artistike.

Ato kanë fuqi të padukshme, fuqinë e penës që di t’i zbërthejë vetëm poeti këto mistere poetike thjesht pakuptuar.

Poezitë e tij janë si shkëndijëza ashtu siç do tëshkruante Ali Asllani për poetët e vërtetë në librat e tyre si: Sikur një gur stërrall/ Në gji zjarrin e ka ngjall/ Qoftë në lum e qoft në det/ Zjarr i tija nuk humbet!

Poeti Cana zbërthen me kode ethshëm në poezitë e tij gjuhën e bilbilit, gjuhën e zogjve që fluturojnë të lirë në hapësirat qiellore, Liri që e ëndërrojnë të gjitha qeniet njerëzore.

Vazhdo të këndosh si bilbil, Poet, dhe ne do të lexojme gjithmonë! 

26 Shtator, 2022

Staten Island, New York