Poeti SALVATORE QUASIMODO, Nobelist italian

– nga Visar Zhiti –

…kam qenë në shtëpinë e tij, në Modica, në Sicilinë magjepse, tani ajo shtëpi është muze, (lindi si sot në 20 gusht 1901).

Teksa ecja në të përpjetën e rrugës, lexoja vargje të tij, të shkruara në muret e vjetra. Në shtëpi ishte dhe zëri i tij, aspak hermetik, i inçizuar, pashë penën, skrivaninë, orenditë, ndjeva frymën, heshtjen, shfletova njërin nga librat. Poezia e tij është hermetike, – thonë kritikët.

Gjeta dhe tercinën që ishte shkruar në mur, çuditërisht na kishte mbërritur dhe në burg, larg, s’di se si:

ED È SUBITO SERA
Ognuno sta solo sul cuor della terra
trafitto da un raggio di sole:
ed è subito sera.

Dhe ne e përkthenim si të na pëlqente. Unë nuk doja ta humbte atë rimën e vetme dhe në shqip:

DHE MENJËHERË VJEN MBRËMJA
Secili është vetëm mbi tokë, te zemra,
i çarë nga një rreze dielli
dhe menjëherë vjen mbrëmja.

Kaq e shkurtër dhe kaq tingëlluese, kaq e përjetëshme, e bukur deri në pikëllim hyjnor.

Do të takoja dhe djalin e tij, aktor në Milano, Alessandro-n, ma tregoi poeti Sebastiano Grasso, kur beja stazh në gazetën “Corriere della Sera”, kujtoj që më thoshin se aty ishte ulur poeti Quasimodo. Mos më kishte thirrur ai, s’dihet ç’kumt donte të më jepte, se poetët janë të çuditshem…

Comment

*