Poezi nga Julia Gjika

 

JETA KA KRYEVEPRAT E SAJ TE CMUARA

Nuk ishte oqean. Dallgë te furishme mbuluan trupa të rëzuar
Nga forca e shpërthimit te bombave.
Tym, britma dhe gjak i pastër sperkati pranverën ne Boston.
Si zogjt e rinj që aksidentalisht bien nga foleja
U këputën fëmijë dy, tetë vjec, të rinj, mosha të thyera.
Nuk ishte oqean.
Pamjet e bukura në sipërfaqen e argjendë,
vezullonin nga ngrohtësi e frymëve që festojnë
I mbuloi mjergulla e akullt e dyshimit.
Sakaq dhimbja forcën zbuloi.
U vunë në radhë si me shkop magjik
Makinat e shpëtimit.
Njerëz vraponin të shpëtonin njerëz,
Të vrarë nga ata që kishin shitur shpirtin.
Karroca invalidësh si barka shpëtimi
Dhe krahë, krahët e Oqeanikëve Bostoniane, si te nje trungu .
Erdhi casti të lexoheshin kryeveprat e cmuara të jetës
Me emrin Martin Richard, Krystle Campbell
Lu Linzi, Sean Collier
Vrastarët,
më parë se të vinin për arsye demografike,
kishin sharruar drurin e gjelbër të jetë së tyre
Thellë-thellë deri në rrenjë.

FEMIJET

Kur të mëdhenjtë u premtojnë fëmijëve
Nesër do të shkojmë në Festë
Fëmijët nuk i zë gjumi. Tërë natën
shohin ëndrra me sy hapur, zgjohen të parët.
Vrapojnë, të gëzuar me njeri tjetrin
Pa u kujtuar se bot aka vrasës..
Femijët, janë qielli mbushur me balona ëndrrash.
Janë të pafajshëm.
Kur lindin fëmijë lulëzon e gjithë bota.
Piktura e parë që vizatojne gishtat e vogla
është dielli, pa i mësuar askush.
Fëmijët, nuk dinë të lodhen së dhëni dashuri.
Paqja e botës janë.
Në globin që cmëndet nga krismat,
Me force i kendojne nenat ninullat

KRIPA E JETES


Nata zbardh pa mëshirë skutat përreth.
Shpirti nga errësira mbështjellë
Nata na jep kohë të bëjmë vetëgjyqësinë.
Për të mos u dorëzuar në prehër të hicit.
Kujtohemi për kryqëzimin e vehtes.
me trimëri shkojmë para vdekjes.
Pejsazhi ku jeta lëvrin, ndricon
në reflekse drit’ yjesh e hëne.
E shkuara feks, si e posahedhur në telajo
e gjallë, me gabimet kryenece,
rrokulliset si gurët e malit,
na zë nën vehte.
Edhe pse vazhdojmë udhën pa kokëcarje
brenda nesh, shpatat (primitive) ngritur
mijra pikëpyetje, pikëcuditëse, vringëllijnë
atje ku duket se fle paqja.

Atje ku prehen të mijtë.
mbi varrin e vetmuar
dor’ e Zotit ka mbjellë manushaqet,
më parë se unë të sjell lulet e mallit.
Për të mos më mbetur merak,
dhimbjen pelin, për palce të mos e mar.


U vyshk lulezimi në stinën e vjeshtës
vazot me lule i futa në hajat.
krasita degët e trëndafilit
ndjeva të më ndjekë urimi i tij në cdo hap.
Në pranverën që trokiti këtë mëngjes
Vura re tek ngrinin kokën filizat e rinj.
Nën qiellin e kaltër që ngjan si qiell Mesdheu
Kur gonxhja e parë shpërtheu
Trendafili dha shenjën e parë
Aromë Mirenjohje derdhi
pa gojë më la

Zemrat tona nuk ndalojnë së protestuari
Vrunduj fjalësh sillen për të përbuzur tjetrin
Të kafshosh gjuhën është të shpëtosh vehten nga sulmi
Krishti fali Judën.
Në këtë botë të trazuar duke folur marrëzira ecim,
por britma e të përbuzurit ngjitet lart në qiell.
Ankthin e tij e cliron dashuria,
Dora e Atij, që shkretëtirën e shndroi në liqen.

Trupat tanë lezetuar
nga krip’ e viteve.
Sa e fshehtë është kjo botë kripe!
Nën lëkurë stamposur shenja
Shenja me shije kripe.
Algë e mbetur ndër gishtat e dallgëve
E pa fjetur, zgjoj ditën
Jeta është luftë
të gjithë nuk i fitojnë betejat.
Por nuk është aq keq edhe pse i humbim
brenda nesh mbetet krip’ e viteve.

NUANCA TE NGRYSURA

Nuanca të venitura.
Mezi kujtohesh se më parë egzistonte pamja romantike.
Tani tregëtohet.
Tinzare është bërë mosha më e bukur,
Shpesh e neveritëshme.
Nuanca të ngrysura, nuanca vrasëse.
Pa pohuar se ndjehen rehat në errësirën qorre.
Parqe të zbrazura.
Për të mbushur kthina, dhoma hotelesh, me klientë të cdo lloji
lakuriqesia e moshës më të re paguhet
Në ato dhoma ku seksi tregëtohet.
S’dëgjohen tinguj që i ngjajnë notave të pastra të një këmbane,
por britma cjerrëse, ekstazë e cfrenuar që shëmton qiejt në mbrëmje
Mendja e moshës më të bukur humbet arsyen
Nuanca të ngrysura.
Si t’a kthesh nga rruga atë që portën e ferrit ka zgjedhur?

GJURME QE FLASIN

Kokë lashë, kokë mora!
Kështu shpelante shpirtin vjedhësi,
që në kohën e Ali Pashë Tepelenës.
Herë kishte nofkë në vend të emrit,
Herë njihej si parja e kuqe tre orë larg.
Nuk e bënte gjumin pa pushkën e mbushur nën jastëk.
Pa atë nuk e merte rrugën për “gjah”.

Në Hotel “Arts” me pesë yje, në Barcelonë,
Aty ku shumë personalitete botërore pushojnë,
Si Mich Jogger, Eric Chapton, Cindy Crowford,
Para dy ose tre vjetësh, u bë vjedhja e shekullit.
Një gjenerali i vodhën sende të cmuara.
“Hallall”! – thanë, paskan vjedhur tepricat nga i pasuri.
“ Harram ”! – thanë për policinë që vjedhësit i kapi.

Perëndia Pan sipas legjendës kish vdekur në Butrint.
Shtojzovallet klithën,
të dëgjonin an’ e kënd barinjtë
për humbjen tragjike.
Kush do t’i mbronte pyjet, lulet në vite?
Që nga ajo ditë e deri më sot
i rafshon sëpata e hajdutit dhe nuk nginjet dot.

Natë tinzare, gojë kycur.
Hëna rinte fshehur në qiellin e errët.
Gjethnajat në pyllin e gështenjave s’pipëtinin.
gjumin e parë, të thellë bënte njeriu.
Hajdutët me hapat në krah,
në haurin e tim gjyshi rrëmbyen gjashtë dele.

Nga britma e gjyshit ishte ishte zgjuar dita
Gjithë fshatin ngriti në këmbë
Nën një qiell tjetër i përpëlitej zemra,
Fëmijëve c’farë do t’u jepte për të ngrënë?
Gjashtë delet, e vetmja pasuri, i kishte Perëndi.
Pastë dorën e mbarë hajduti ! – e ngushëlluan nën zë.

Vjedhësi nuk le gjurmë, por ato flasin,
Nje Zot e di, a bën prokopi me mall të vjedhur?
S’kaloi shumë kohë, gjyshja ndroi jetë
dy herë u varfërua familja.
Dora ters, si er’ e fortë heq catinë,
kish hequr gëzimin në atë shtëpi
dhe varfërinë pas e la trashëgim.

TRENI IM…

Kam pritur në stacione trenash e vetmuar,
herë duke u shtyrë me të pa njohur, për të zënë një vend.
Pas ankthit të fishkellimës së nisjes që cponte qiellin.
Pejsazhet fluturonin me shpejtësi para syve të mij.
Vec ritmit të vagonave, që deri ne zbritje më shoqëronte.
Kam pritur trenin tim me barkun tek goja!

Fytyrën e rihte shiu i ftohtë i padurimit: Kur do të clodhej foshnja ime?
Kur nga trena mallrash bllokohej e gjithë platforma,
Treni im vonohej. Rënduar nga ngarkesat dihatja,
për të dalë në udhën e madhe, shtepia ime humbiste larg.
Zvarrë-zvarrë, me barkun tek goja, poshtë trena mallrash,
me ankthin e lëvizjes së tyre nga casti në cast, deri sa këmba prekte asfaltin.

Treni im ngarkohej me përshendetje buzëgaz fëmijësh,
që shkonin e vinin në shkollën e fshatit.
Një fetë bukë misri me sheqer e ujë në duart kallkan nga i ftohti i dimrit.
Me cantat prej lecke të librave nën sqetull,
grisur qosheve, si të ngrëna miu,
ku lapsat dhe gomat binin udhëve të tyre si shënja kthimi.

Treni im ngarkuar me punën shumëvjecare,
të përditshmen në ditarin e madh të llogarisë.
Miliona lekë shpenzime regjistruar për bunkerë,
me urdhër nga shefi i ndërtimeve, urdhërues të tjerë të lartë në detyrë.
Urdhëra mbi urdhëra, i fundit nga komandanti i rreptë,
Punën e fillonte i dehur cdo mëngjes.

Në stacione trenash e vetmuar kam pritur,
me barkun tek goja trenin tim.
Natyra e përkryer para meje, kalonte me shpejtësi
Duke më mbajtur në hutim të plotë.
Treni im, pas fishkëllimës së lokomotivës, që lajmëronte mbritjen,
zhurmat dhe një ritëm mbi shina i vagonave,
rininë më rrëmbente tmerrësisht pa e kuptuar.

Prill, 22, 2013

Comment

*