Policia arreston Alda Klosin, ish-zyrtaren e qeverisë për pastrim parash

Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e Klosit nën dyshimin se ka tentuar të pastrojë para, nuk ka deklaruar paratë e vjedhura dhe ka bërë deklarime të rreme para oficerëve. Klosi tërhoqi vëmendjen e publikut pas vjedhjes së një shume të madhe parash në shtëpinë e saj nga pastruesja.

Nga Edmond Hoxhaj

Policia e Tiranës njoftoi të shtunën më 4 shkurt 2023 ekzekutimin e urdhërit të prokurorisë së kryeqytetit për ndalimin e 41-vjeçares Alda Klosi, ish-zyrtares së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare dhe ish-shefes së kabinetit të ish-Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj. Arrestimi i ish-zyrtares së lartë erdhi pas hetimit të kallëzimit të saj të kryer në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove.

Sipas policisë, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrestimin e Klosit për veprat penale “refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Ngjarja filloi pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë, dhjetorin e kaluar. Policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet një shumë e konsiderueshme parash ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina.

Klosi deklaroi në polici më vonë se në banesë kishte pasur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë krahas bizhuterive, në çastin e vjedhjes.

Ndërkohë, policia mbajti nën përgjim në komisariat Rozeta Dobin, e cila punote si pastruese dhe Havierin ndërsa këta diskutuan për një shumë tjetër parash të fshehur në tubin e ventilatorit të kuzhinës.

Policia nuk kishte gjetur këtë shumë në kontrollin e parë por kur rivizitoi banesën, gjeti 404 mijë euro dhe 8500 dollarë. Në total policia gjeti 462,950 euro, 15,500 dollarë amerikanë dhe 368 mijë lekë.

Opozita thotë se prania e kaq shumë parave të thata është tregues i shkallës së korrupsionit në qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e gjerë të publikut përgjatë të gjithë muajit janar dhe pothuajse u harrua deri në arrestimin e Klosit të premten.

Arrestimi i Klosit u shoqërua me komente të tjera cinike që lidhnin arrestimin me skandalin e McGonigal, ish-zyrtarit të FBI-së që akuzohet për mosdeklarim në FBI të marrëdhënieve të tij me kryeministrin Edi Rama dhe të interesave ekonomike me dy shqiptarë, përfshirë një këshilltar të Ramës. (Reporter.al)