Policia e Kosovës dhe xhandarmëria serbe e vëzhgojnë njëra-tjetrën nga distanca

Prishtinë, 22 shtator 2021 – Rrugët rajonale në veri të Kosovës, në afërsi të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak, vazhdojnë të mbahen të bllokuara prej ditës së hënë. Ato janë bllokuar nga grupe serbësh lokalë që e kundërshtojnë zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Gjatë tri ditëve të bllokadës në këtë zonë nuk ka ndodhur asnjë incident, por atje ndodhen pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës që kujdesen për sigurinë e banorëve, për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe për mbrojtjen e integritetit të vendkalimeve kufitare.

Siç vetëkuptohet, në anën tjetër të kufirit, e përcjellin situatën edhe pjesëtarët e forcave policore të Serbisë.

Të mërkurën, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe janë parë në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinjë duke i vëzhguar me dylbi nga disa pozicione lëvizjet e policëve të Kosovës që përkujdesen për sigurinë në zonë.

Natyrisht që edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës i kanë vëzhguar dhe i kanë ndjekur me vëmendje veprimet dhe lëvizjet e pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe.

Raportimet nga vendii ngjarjes thonë se midis policive të të dyja vendeve nukka ndodhur asnjë provokim apo incident.

Televizioni Dukagjini ka publikuar pamje dhe fotografi nga vëzhgimet në distancë të policisë së Kosovës dhe xhandarmërisë serbe.

(r.m.)