Policia e Kosovës jep garanci për lirimin e Kadri Veselit nga paraburgimi

Hagë, 26 nëntor 2021 – Mbrojtja e Kadri Veselit në Gjykatën Speciale ka thënë se Policia e Kosovës ka ofruar garanci për zbatimin e masës së sigurisë arrest shtëpiak për ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, siç është kërkuar nga Specialja për lirim me kusht nga paraburgimi.

Në një përgjigje të mbrojtjes ndaj vendimit të Prokurorisë për mbajtjen në arrest të Veselit, të publikuar nga Specialja, thuhet se, më 27 tetor, Policia e Kosovës ka dhënë përgjigje në kërkesën për ofrimin e sigurisë, në rast të lirimit me kusht.

“Përgjigjet e Policisë janë të përpikta, profesionale dhe zbusin direkt të vetmin rrezik të mbetur të identifikuar nga arresti shtëpiak. Si rezultat, mbrojtja tani vlerëson se ndalimi i Veselit në Njësinë e Paraburgimit në Hagë duhet të marrë fund dhe se ai duhet të lirohet në arrest shtëpiak në Kosovë, për pjesën e mbetur të fazës paraprake të gjykimit”, thuhet në përgjigjen e mbrojtjes.

Policia e Kosovës kohë më parë ka refuzuar të japë detaje për përgjigjen ndaj kërkesës së Speciales për ofrimin e sigurisë për ish-krerët e UÇK-së, në mënyrë që ata të lirohen me kusht.

Veseli akuzohet për krime lufte, bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

(r.m.)