Policia e Kosovës konfirmon se në veri ka pasur të shtëna me armë

Prishtinë, 31 korrik 2022 – Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicëe serbe, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por nuk ka informacione për persona të plagosur.

“Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur”.

Policia uka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e lajmeve të rreme që kanë qëllim destabilizimin e situatës në Kosovë.

“Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policorë, andaj ftojmë dhe iu bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve-lajme të rreme, të cilat kanë tendencë destabilizimin e situatës dhe krijimin e panikut”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës bëri të ditur se në disa lokacione në veri të Mitrovicës ka vazhduar bllokimi  i rrugëve, në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinë dhe Bernjak, të cilat pika janë mbyllur për qarkullim.

“Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saj me njësitet policore, në ofrim e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

(r.m.)