Policia e Kosovës kujdeset për sigurinë e serbes së kthyer në Gjakovë

Prishtinë, 30 qershor2021 – Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, është kthyer në Gjakovë, si serbja e parë, thotë që autoritetet lokale, të mërkurën, më 30 qershor, nuk e kanë lejuar që në hyrjen e banesës së saj të ndërrojë derën dhe mbi të të vendosë grila të hekurta.

Ajo ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka dashur që derën që aktualisht e ka në hyrje të banesës ta zëvendësojë dhe ta forcojë, sepse nuk ndihet e sigurt.

Gashiq ka thënë se mjeshtrit që po e vendoste derën e re autoritetet lokale ia kanë kërkuar lejen për punimet dhe më pas ia kanë konfiskuar derën.

Ajo ka thënë se nuk do të heqë dorë nga qëllimi i saj që të jetojë në Gjakovë.

“Pse do të vija unë në banesën time në qoftë se nuk kam menduar se do të qëndroj këtu. Unë di shqip, mund të gjendem. Pra, vetëm të mos më ngacmojnë”, është shprehur ajo.

Dragica Gashiq, e cila deri më tash ka jetuar në Serbi, prej disa vitesh ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Pronës që t’i lirohet banesa e saj në Gjakovë që i ishte uzurpuar.

Por, ajo është e padëshirueshme në Gjakovë, për shkak se para luftës ka punuar në policinë serbe. 11 organizata joqeveritare lokale kanë thënë se do t’i dërgojnë Qeverisë së Kosovës një peticion, me të cilin do të kërkohet largimi i saj nga Gjakova.

Por, ajo vetë ka thënë se në polici ka punuar si pastruese dhe se nuk i ka bërë keq askujt.

Tash për tash, për sigurinë e Dragica Gashiqit kujdeset Policia e Kosovës. Për këtë ajo është shumë mirënjohëse.

“Me të vërtetë nuk kam fjalë. Policia vërtet më përcjell dhe më ruan. Hallall u qoftë. Një serbe ta ruajnë ashtu, kjo nuk ndodh askund në botë. Po të mos ishte mbështetja e tyre, e Policisë së Gjakovës, unë nuk do të mund të jetoja këtu”, ka thënë ajo.

Në vitet 1998 dhe 1999, gjatë luftës, në Gjakovë janë vrarë më shumë se 1.000 civilë shqiptarë. Disa prej tyre edhe më tutje nuk janë gjetur. Familjarët e viktimave dhe të pagjeturve dyshojnë se shumica e qytetarëve serbë që kanë jetuar në komunën e Gjakovës janë fajtorë ose bashkëfajtorë për krimet e kryera në këtë komunë, sepse kanë bashkëpunuar me forcat militare e paramilitare serbe.

(r.m.) 

Comment

*