Policia e Kosovës njofton se gjendja në veri i është kthyer normalitetit

Prishtinë, 3 tetor 2021 – Policia e Kosovës njoftoi se rrugët në drejtim të pikave kufitare me Serbinë, në Jarinje dhe në Bërnjak, në veri të vendit janë liruar për qarkullim dhe se gjendja i është kthyer normalitetit.

“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pjesëtarët e KFOR-it e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione. Ata do të qëndojnë atje dy javë.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë u zhbllokuan të shtunën,  sipas marrëveshjes midis Kosovës e Serbisë për targat e automjeteve. Ato ishin bllokuar nga grupe serbësh prej 20 shtatorit, kur nisi zbatimi i reciprotitetit me Serbinë për targat

Ministri  i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se Policia e Kosovës “dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim”.

Të shtunën u plotësua pika e parë e marrëveshjes për zgjidhjes e situatës së fundit në veri.

Në marrëveshjen e arritur në Bruksel parashihet zbatimi edhe i dy pikave tjera. Njëra parasheh që palët duke filluar nga 4 tetori, të nisin të aplikojnë mbulimin e simboleve shtetërore të targave të automjeteve të të vendeve me letra ngjitëse, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Pika e fundit e marrëveshjes parasheh që më 21 tetor të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, ku grup punues do të prezantojë propozimin për një zgjidhje të përhershme.

(r.m.)

Comment

*