Policia e Kosovës sulmohet me armë në pjesën veriore të vendit

Prishtinë, 15 prill 2022 – Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës është sulmuar me armë të premten, më 15 prill, në veri të vendit, rrugës për në pikat kufitare me Serbinë.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për medie,  bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ministri Sveçla ka thënë se tri ditët e fundit në  atëzonë janë kryer katër sulme nga grupe të ndryshme kriminale.

Ai ka thënë se në sulmin e parë janë vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, në sulmin i dytë Policia e Kosovës është gjuajtur me gurë, ndërsa sulmi i tretë, të enjten në mbrëmje, është kryer me armë zjarr, në afërsi të pikës së kontrollit për pengimin e shfrytëzimit të rrugëve ilegale.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe, realisht, ua prish planet të gjithë atyre që Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, ka thënë Sveçla.

Ai ka shpjeguar se sulmet e fundit nuk janë bërë publike menjëherë që mënyrë që policisë t’i jepet kohë t’i zbulojë autorët dhe ka theksuar se në sulmin e së premtes është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e zyrtarëve policorë.

“Këtu tash nuk kemi dyshime se ky është sulm terrorist dhe e kemi vlerësuar si të pashmangshme që këto informata të ndahen me publikun, për të parandaluar çfarëdo lloj dezinformate”, ka theksuar Sveçla.

“Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund ta rrezikojnë sigurinë e vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë gjithashtu se këto ngjarje e konfirmojnë “panikun e grupeve për shkak të përmirësimit të sundimit të ligjit”, duke mos dashur të përmendë se cilat janë ato grupe, pos që ato po i sulmojnë institucionet legjitime të Kosovës.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se afërsia e sulmeve lë të kuptohet se bëhet fjalë për grup të organizuar.

“Kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”, ka thënë ai.

Mehmeti ka theksuar se, pavarësisht prej këtij akti, qytetarët e Kosovës duhet të ndihen qetë e të sigurt dhe se duhet të dinë se kur grupet kriminale pengohen, kur iu ndërpriten mënyrat e financimit të aktiviteteve kriminale, “sigurisht që bëhen më nervoz dhe më të tendosura”.

Në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë policosrë shqiptarë dhe serbë.

Në konferencë nuk është bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka thënë se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale.

Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se kishte nisur të mbyllte disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Sfeçla atëherë kishte thënë se mbyllja e këtyre rrugëve ka qëllim parandalimin dhe luftimin e krimit dhe të të gjitha formave të kontrabandës në zonat kufitare me Serbinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

Në tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia pati thënë se në atë aksion ishin sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh”.

(Sipas REL)