Policia falenderon qytetarët që shpëtojnë jetë me telefonatat në 112 dhe Komisariatin Dixhital

Përgjatë 10 ditëve të para të këtij muaji, shumë qytetarë në të gjithë vendin, kanë adresuar në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, shumë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Gjatë kësaj periudhe, pas telefonatave të qytetarëve dhe ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë Rrugore janë parandaluar rreth 98 ngjarje rrugore në të gjithë vendin.

Nga Policia Rrugore e Tiranës janë ndëshkuar 31 drejtues mjetesh, nga të cilët 13 drejtues me arrest, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe manovra të rrezikshme në rrugë, dhe 18 drejtues të tjerë me masë administrative deri në 40.000 lekë të rinj, kryesisht për xhirim gomash nën efektin e alkoolit, për gara shpejtësie, parakalime të rrezikshme në krah të kundërt dhe sjellje agresive në rrugë.

Po falë telefonatave nga qytetarët, në Durrës, Fier, Vlorë, Lezhë, Korçë e Elbasan, janë arrestuar 11 drejtues mjetesh, të cilët duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur kanë rrezikuar jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës. Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative deri në 40.000 lekë të rinj, 56 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi në qendrat e banuara, drejtim mjeti në efektin e alkoolit, për xhirime gomash dhe sjelle agresive në rrugë.

Krahas vlerësimit të telefonatave të qytetarëve, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet permanente me radarë, dragera, kamera, aparate fotografike, dronë e makina të paloguara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të përdorin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara në rrugë.

➡️Në çdo aks rrugor nacional dhe akset kryesore rurale, si dhe në qendrat urbane ka 24/7, dragera, radarë, patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.

#TaniJemiMeShume👀👱♂👮🏻♀
#ZeriYtDegjohetDheVleresohet✍️
#BashkepunoPerSigurineTone🤝

Comment

*