Policia gjermane godet një rrjet gjigant të trafikut të drogës dhe armëve, mbi 750 të arrestuar

Berlin, 6 korrik 2021 – Policia gjermane ka goditur një rrjet gjigant të transportit të drogës dhe trafikimit të armëve, duke vënë në pranga më shumë se 750 persona. Si rezultat i operacionit, autoritetet sekuestruan gjithashtu rreth 3.2 ton kanabis, qindra kilogramë drogë sintetike, kokainë dhe tableta ekstaze, 310 armë zjarri dhe mbi 12.000 fishekë.

Autoritetet gjermane, në një deklaratë për media, thanë se arrestimet u bënë të mundur nga policia që goditi kriptimin e përdorur nga shërbimi “EncroChat”, i cili ofronte një shërbim të sigurt të mesazheve të menjëhershme të telefonisë mobile që u përdor nga kriminelët.

Hetuesit francezë dhe holandezë u infiltruan në platformën, e cila kishte 60,000 përdorues në gjithë botën, vitin e kaluar. Ata bënë një numër arrestimesh dhe ndanë të dhënat përmes Europol, duke lejuar autoritetet diku tjetër të monitorojnë mesazhet dhe lëvizjet e kriminelëve.

Këto arrestime vijnë pas qindra mijëra bisedash që “EncroChat” ua dha autoriteteve gjermane në prill të vitit 2020, duke identifikuar mijëra përdorues.

(BalkanWeb)