Policia kroate njoftoi në mënyrë të detajuar për aksidentin afër Sllavonksi Brodit

Sllavonski Brod (Kroaci), 25 korrik 2021 – Departamenti i Policisë së Qarkut Brod-Posavina në Kroaci ka lëshuar një deklaratë ku ka shpjeguar në mënyrë të detajuar rrethanat e aksidentimit  të autobusit të Kosovës në autostradë afër qytetit Slavonski Brod, ku e humbën jetën 10 persona dhe u lënduam më shumë se 40 të tjerë. Të gjithë ata ishin duke ardhur nga Frankfurti në Kosovë.

Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi njoftimin për aksident në korsinë jugore, të autostradës A3 Bregana-Lipovac, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e policisë përshkruhet se si doli nga autostrada autobusi me 67 pasagjerë dhe me dy shoferë.

“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratën e policisëkroate.

Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

“Në orën 10.40, shoferi 52-vjeçar i autobusit u arrestua dhe, pas një hetimi penal, do t’i dorëzohet mbikëqyrësit të kujdestarisë së Administratës së Policisë Brod-Posavina me një kallëzim penal për dyshimin e kryerjes së një vepre penale sipas nenit 227 të Kodit Penal Shkaktimi i aksidentit të trafikut, dhe më pas në zyrën e avokatit shtetëror kompetent”, thuhet më tutje nëdeklartë.

Shoferi i cili ishte duke vozitur në momentin e aksidentit, gjatë intervistimit në polici, e ka pranuar se për një moment e kishte zënë gjumi. Këtë e ka konfirmuar zëvendësprokurori komunal në Slavonski Brod,  Slavko Pranjiq.

“Sipas fakteve të vërtetuara deri tash ka të bëjë me daljen e autobusit në anën jugore të rrugës. Autobusi po udhëtonte nga Frankfurti në Prishtinë, transportues ‘Deva Tours’ me seli në Prishtinë. Shoferi i autobusit u gjet në vendngjarje dhe u arrestua. Një hetim është kryer. Veprime të tjera janë marrë për të filluar procedurën penale. Shoferi u arrestua me dyshimin për drejtimin e automjetit në mënyrë të papërshtatshme. Nuk mund të flasim për shkaqet e daljes nga rruga. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do t’i përcaktojmë të gjitha me kohë”, ka thënë Pranjiq.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Njëri nga shoferët, i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur, ndërsa ai që po voziste po mbahet në stacionin rajonal të policisë në Sllavonski Brod.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, i ka vizituar disa prej të lënduarve në aksident  që janë shtruar për trajtim në spitalin rajonal të Slavonski Brodit. Ai është parë i përlotur, derisa u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq, ka thënë se 45 persona janë pranuar në spital , tetë prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

(r.m.)

Comment

*