Policia në Sarandë arrestoi 4 persona për trafik droge dhe sekuestroi 9 kg. kanabis

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, u finalizua operacioni i koduar “Transportuesit”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-Dritan Delishi, 35 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, lindur në Peshkopi dhe banues në Sarandë;
-Litavit Laçi, 23 vjeç, lindur dhe banues në Bulqizë;
-Ylli Daci, 29 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Sarandë;
-Flori Bardhi, 37 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Sarandë.

Në bazë të informacioneve të grumbulluara se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndës narkotike kanabis, menjëherë nga forcat e Policisë u organizuan veprimet dhe u bë e mundur parandalimi i trafikimit të një sasi prej 9 kg lëndë narkotike kanabis, e cila iu është gjetur dhe sekuestruar shtetasve L. L. dhe F. B., gjatë tentativës për ta transportuar në bashkëpunim dhe me 2 shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, me synimin për ta trafikuar jashtë vendit nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e Konispolit.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.