Policia në Tiranë dhunon dhe rrezikon jetën e gazetarëve në detyrë (video)

Gazetarja Anila Hoxha dhe operatori Endri Kurti të televizionit “Top Channel” si dhe një tjetër operator i televizionit “ABC News” nga e shtyra pa asnjë shpjegim e efektivit policor u rrëzuan në një rrëpirë që mund t’u rrezikonte jetën në Malin e Dajtit në Tiranë

Knid Ndrenika

Policia e Shqipërisë përsëriti një tjetër shfaqje dhune kur një efektiv shtyu gazetarët dhe operatorët që raportonin në terren.

Gazetarët dhe operatorët (kameramanët) u dhunuan në një zonë në malin e Dajtit në Tiranë ku u gjet i vrarë biznesmeni Ruzhdi Hoxha i zhdukur prej thuajse 15 ditësh.

Pa kurrfarë arsyeje, efektivi i policisë që pretendohet të ishte në përmbushje të detyrës pa përdorur as sharje dhe as dhunë, i shtyu gazetarët e televizionit “Top Channel” kur qëndronin në anën e duhur të shiritit ndalues të rrethimit të zonave në mbikqyrje të vendngjarjes.

Gazetarja Anila Hoxha dhe operatori Endri Kurti të televizionit “Top Channel” si dhe një tjetër operator i televizonit “ABC News” nga e shtyra pa asnjë shpjegim e efektivit policor u rrëzuan në një rrëpirë që mund t’u rrezikonte jetën.

E shtangur nga dhuna e shtetit me uniformë, kolegia Anila Hoxha iu drejtua efektivit me fjalët: “Polic je ti ore? Çfarë je ti more?! Shtyn gazetarët si injorant! Nuk të vjen turp! Nuk e keni fajin ju! Fajin e kanë ata që ju mbajnë në punë! Do të të denoncoj”!