Policia nuk e gjeti në shtëpi kur shkoi ta arrestojë ish-Kryeprokurorin Llalla

SPAK-u nxori urdhër për arrestimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla
 
Knid Ndrenika
 
Policia dështoi ta arrestojë këtë mbrëmje ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla pasi nuk e gjeti në shtëpi kur shkoi të ekzekutonte urdhërin e SPAK-ut dhe e shpalli në kërkim.
 
SPAK-u nxori urdhër për arrestimin e zotit Llalla 2 apo 3 orë pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për ta dënuar me dy vjet burg. 

Televizioni Top-Channel raportoi se “është njoftuar SPAK-u” dhe se “burime të sigurta bëjnë me dije se është shpallur në kërkim kombëtar”.

Dyshimet janë se zoti Llalla, sipas televizionit “ka dalë nga Shqipëria përmes Rinasit me 9 shtator me destinacion Rinas-Itali ndërsa më pas nuk dihet cili është destinacioni i tij final”.

Dyshimet gjithashtu janë se ish-Kryeprokurori Llalla ndodhet në Turqi.

Gjithashtu ka edhe dënim tjetër, që zotit Llalla iu shqiptua në mungesë, për t’i hequr për 5 vjet të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike si dhe konfiskim pasurie. 
 
Akuzat kundër ish-Kryeprokurorit ishin “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal, por mbeti vetëm ajo për mosdeklarim. 
 
Ish-Kryeprokurori nuk ishte i pranishëm pasi, siç është shprehur avokati i tij, kurohet nga një sëmundje e rëndë dhe ndodhet i shtruar në spital, ndonëse nuk ka të dhëna për vendndodhjen e tij. 
 
Avokatura e zotit Llalla tha se vendimi ishte “copy-paste e të gjitha pretendimeve të hetimit pa konsideruar asgjë nga mbrojtja”. 
 
Avokati Sokol Hazizaj theksoi se vendimi i Apelit ishte i paracaktuar dhe se nuk është vërtetuar asnjë akuzë që është ngritur nga prokuroria. 
 
“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që klienti im Llalla është në spital. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet Llalla, sepse nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-kryeprokurorit, por vetëm procedural”, tha avokati Hazizaj. 
 
Prokuroria e Posaçme SPAK kërkoi që Apeli ta linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë kundër ish-Kryeprokurorit. 
 
Zotit Llalla iu sekuestruan në favor të shtetit 4 sipërfaqe toke me një sipërfaqe pren 22 mijë metrash katrorë dhe 1 apartament në qytetin e Durrësit.