Politika luan “ping-pong” me tre ligjet e integrimit

Ligji për Gjykatën e Lartë, ligji për Administratën Publike dhe Rregullorja e Kuvendit janë përcaktuar që në “Opinionin” e vitit 2010 si tre ndër 12 përparësitë e Komisionit Evropian

 

Dardan Malaj

TIRANË – 22 maj 2013 – Klasa politike vazhdon ta mbajë peng paketën e kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për marrjen e statusit kandidat. Në përfundim të legjislaturës kuvendore, mazhoranca dhe opozita janë bashkuar me deklarimet në nivel publik por pa konkretizuar gjithçka me vendim në Kuvend.
Menjëherë pas largimit nga qeveria drejt kampit opozitar, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi se kishte vendosur kusht për aleancën me PS, votimin e dy ligjeve dhe rregullores se Kuvendit.
Një pohim i cili në fakt nuk u shoqërua në javët pasuese me bashkimin e votave në Kuvend dhe realizimin e këtij angazhimi të përcaktuar në opinionin e Komisionit Evropian për çështjen e statusit kandidat.
Dy javë më parë, LSI propozoi publikisht një kompromis drejtuar kreut të mazhorancës dhe atij të opozitës për votimin e paketës së ligjeve me kushtin që ato të hynin në fuqi në shtator me konstituimin e Kuvendit të ri.
“Ne jemi shprehur dakord me këtë paketë. Në fakt këtu bëhet fjalë për dy ligje dhe Rregulloren e Kuvendit, jo për tre ligje dhe kam nevojë ta nënvizoj këtë gjë. Mirëpo është e qartë që ka vetëm retorikë dhe propagandë të shfrenuar antiopozitare nga qeveria dhe mesa duket nuk ka në fakt, asnjë vullnet për t’i miratuar këto ligje”, u shpreh kreu i opozitës Edi Rama duke konfirmuar konsensusin.
Ligji për Gjykatën e Lartë, ai për administratën publike dhe rregullorja e Kuvendit janë përcaktuar që në opinionin e vitit 2010 si tre ndër 12 prioritetet e Komisionit Evropian.
Vjeshtën e kaluar, Komisioni Evropian i propozoi Këshillit dhënien e statusit për Shqipërinë sapo të jenë miratuar tre nismat ligjore. Në një kohë kur votimi i tyre kërkon shumicën e cilësuar të votave dhe në mungesë të konsensusit me opozitën, kryeministri dhe mazhoranca miratuan kërkesën për mbajtjen e një referendumi popullor.
Pasi i akuzoi disa ditë rresht dyshen Rama-Meta se po bën pazar me tre ligjet në kurriz të vendit, kryeministri Sali Berisha u shpreh se është i gatshëm ta mbledhë Parlamentin menjëherë duke pohuar se “unë do ti kërkoj kryetares së parlamentit që të ngrihemi dhe t’i votojmë që nesër”.
Paralelisht, Berisha akuzoi ish aleatin e tij Ilir Meta se deri më tani kishte fajësuar publikisht opozitën për bllokimin e statusit kandidat ndërsa me kalimin majtas po fajësonte Partinë Demokratike.
Përtej deklarimeve publike asnjë nismë zyrtare nuk ka mbërritur ende në Kuvend ku të kalojnë për votim në seancë dy ligjet dhe rregullorja të sanksionuara se do të hyjnë në fuqi shtatorin e ardhshëm si kusht negociues me opozitën.
Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi shprehet i qartë në mbështetje dhe pritje të miratimit të ligjeve. “Shqiptarët meritojnë europën dhe Shqipëria ka gjithë potencialin për ta realizuar këtë endërr. Jam plotësisht i bindur për këtë. Kur dhe si do të ndodhë, këtë realisht nuk e di. Varet shumë nga angazhimi i gjithkujt”, vlerësoi Sequi.
Mos votimi i dy ligjeve dhe rregullores përpara zgjedhjeve krijon sërish vështirësi dhe vonesa në marrjen e statusit. Konstituimi i Kuvendit të ri do të mund të bëhet në shtator ndërsa sistemi zgjedhor krijon shumë pak shanse që të ketë një mazhorancë me 84 vota. Edhe në rastin e një rotacioni pushteti do të jetë e vështirë që të arrihet një konsensus mes palëve për miratimin e këtyre nismave me shumicën e cilësuar.