POLITIZIMI PARTIAK NUK I LE KRIJUESIt TË EVOLUOJNË

(Kujtime dhe meditime për Prof. Kristo Frashërin)

U gëzova shumë kur mësova se z. Bamir Topi, President i Republikës, e shpalli Profesor Kristo Frashërin Nder i Kombit me rastin e 88-vjetorit të lindjes së tij. Ky vlerësim për mua ishte korrigjim i një gabimi dhe shënjë emancipimi e pushetarëve shqiptarë. Ky historian ka pësuar herë pas here goditje si prej Enver Hoxhës në kohën e monizmit dhe prej Sali Berishës gjatë tranzicionit. E vlerësoja sidomos për interpretimet e drejta që u kishte dhënë shumë problemeve të historisë së popullit tonë gjatë Mesjetës, Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë. Para se të lexoja librin e studjuesit Uran Butka “Dritëhije të Historisë – Polemikë me Kristo Frashërin” unë e vlerësoja këtë historian si studiuesin më të shquar midis historianëve tanë të gjallë. Për ta bërë të kuptueshme këtë konsideratë për të, po sjell kujtimet e mia botuar në vitin 2011:

“Në fillim të viteve ’80-të Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë dhe Instituti i Historisë, dy institute të Akademisë së Shkencave, ishin në një godinë të një shkolle 8-vjecare në Rr. Naim Frashëri, Tiranë. Godina ishte krejt e papërshtatshme, por njerzit punonin me përkushtim. Për fat të keq këto dy institute vijojnë të jenë aty.

Dhoma e tij e punës ishte karshi dhomës ku punonim ne studiuesit e letërsisë shqiptare të së kaluarës. Unë e kisha për zemër historinë e Shqipërisë, ndërkohë dhe fusha e studimit tim ishte gazetaria dhe letësia e Rilindjes, gjë që më lidhte me historinë tonë, kështu që shpesh herë shoqërohesha me historianë. Shoqërimet e pirjet e kafes me studjues historianë si Kristo Frashëri, etj i konsideroja si takime pune, sepse ata me përgjigjet që u jepnin pyetjeve të mia, më ndihmonin për sqarimin e problemeve që më delnin në punë e sipër. Shpesh herë i shkoja Kristos dhe në dhomën e vogël, ku punonte i vetëm dhe mund të bisedonim pa i prishur qetësinë ndokujt tjetër.

Ai më jepte herë pas here për të lexuar artikuj shkencorë që kishte botuar më parë e që unë nuk i kisha lexuar. Diskutonim rreth problemesh historike dhe gjithnjë përfitoja. Kur lexova veprën e tij “Abdyl Frashëri 1839-1892” N.B. 8 Nëntori 1984, u entusiazmova sepse kjo vepër i mungonte historiografisë shqiptare. Në fund të bisedës e pyeta:

Për nga kontributi shkencor ti meriton të jesh profesor, mirëpo prej shumë vitesh ti ke mbetur vetëm “Bashëpunëtor i Vjetës Shkencor” (Docent), pse nuk ta dhanë gradën “Profesor” më 1972, kur ua dhanë kolegëve të tu si Stefanaq Pollos, Androkli Kostallari, Luan Omari e të tjerëve?

Nuk thua shyqyr që më kthyen nga qarkullimi, ma ktheu Kristoja me të qeshur dhe vijoi: po të mos ngulte këmbë Aleks Buda, kryetari i Akademisë së Shkencave, unë do të isha ende mësues në Përmet. Më 24 Maj të vitit 1969, kur erdhi Enver Hoxha në Përmet për të festuar 25-vjetorin e Kongresit të Përmetit, organizatorët e ceremonisë e pyetën: -Shoku Enver ku ta vendosim Kristo Frashërin?

Organizatorët kishin respekt për mua si një përmetar, si ish-partizan e pjesëmarrës i Kongresit dhe si historian që i kisha ndihmuar për muzeumet e rrethit. Ata mendonin të më vinin në presidium ose në rreshtin e parë të sallës, kur Enveri, në vend që t’u përgjigjej, pyeti: – ‘Pse mo gjallë qënka Kristoja’?

Kjo pyetje e kishte dhe përgjigjen brenda, prandaj më caktuan të rrija nga mesi i sallës.

Më 1968 Kriston e kishin qarkulluar në Përmet sepse e kishte interpretuar kryengritjen e Haxhi Qamilit të viteve 1913-14 si një lëvizje rebele, ashtu si e kishin quajtur patriotët e asaj kohe. Enver Hoxha deshi ta shpallte atë si një lëvizje të ndërgjegjshme fshatare, madje mbas disa vjetësh ai shkroi një artikull vlerësues për të, për të dhënë orientimin e duhur e për të sfiduar pikërisht historianin Kristo Frashëri…

Një herë tjetër duke folur për mungesën e kulturës së anëtarëve të byrosë politike, Kristoja, më tha: Enveri nuk i pëlqen njrëzit që mendojnë me kokën e tyre, ai ka qejf njerëzit që i servilosen dhe që përsërisin mendimet e tij…

Mua nuk më ka pasur qejf kurrë. Unë kam qenë një nga komunistët e hershëm, por në muajt e parë të vitit ’42 udhëheqja e PKSh më ndëshkoi duke më bërë kandidat partie dhe më dërgoi në Peshkopi për të bërë pjesë në njësitet partizane të terrenit. As kur mbaroi lufta, as më vonë nuk u thirra ndonjëherë për të m’u dhënë triska e anëtarit të partisë…

Një të premte në muaj, si të gjithë edhe ne punonjësit shkencorë, bënim format e edukimit politik, ku diskutonim materiale të ndryshme të PPSh-së. Ishte vjeshta e vitit 1984. Një të shtunë, mbasi kishim diskutuar të premte për luftën e klasave, shkova tek Kristoja dhe u hap biseda për këtë temë. Ai duke dashur të më sqaronte për thelbin e luftës së klasave tha: Lufta e klasave nuk është tjetër veçse shprehje e zilisë dhe lakmisë njerëzore. Ç’ të drejtë ka një klasë politike t’ia marrë pasurinë njerëzve që e kanë vënë me mund e djersë. Ky shpronësim nuk e ndihmon progresin.

Mua sikur më ra pika, sepse, ndonse e dija që Kristoja kishte rezerva ndaj diktaturës së proletariatit, por që të shprehej kaq hapur kundër boshtit ideologjik të saj, nuk e prisja. Pata frikë mos më provokoi… Ai duke e parë se unë u nemita, më qetësoi: Këto mendime nuk ia them tjetër kujt…

Të hënë unë mora me vete aparatin tim fotografik dhe i bëra një foto po aty në dhomën e tij ulur para tavolinës së punës, ku i kishte thënë ato fjalë tronditëse dhe ia dhurova një kopje pas disa ditësh.

Në vitin 2001, kur Akademia e Shkencave i festoi Kristos 80-vjetorin, folën për të shumë studiues. Materialet e këtij takimi u botuan në një libër, në kopertinë të të cilit u vendosur pikërisht ajo fotografi. Po të kisha qenë aty do të kisha dhënë edhe unë disa kujtime, që po tregoj këtu, me vonesë.

Në fund të viteteve 80-të, Kriston e kishin nxjerrë në pension pa i dhënë asnjë gradë a titull tjetër përveç grades Kandidat i Shkencave dhe titullit Docent, që i kishte marrë shumë vite para qarkullimit. Ndonse pensionist, ai vinte e punonte disa ditë në javë po tek ajo dhoma e tij. Kur u takuam në një nga javët e para të janarit 1991, i thashë: Të erdhi koha Kristo, tani ti më shumë se kushdo tjetër, duhet të aktivizohesh në këtë lëvizje. Më të pjekur se ty për t’u marrë me politikë nuk ka, ke qënë i nënvlerësuar e i ndëshkuar prej partisë.

Kristoja duke nënqeshur m’u përgjigj: Në vitet 1936-37-të unë e pyeta tim atë: Pse, ti, që je intelektual e patriot më i mirë se shumë prej deputetëve, nuk kandidon për deputet? Im atë më tregoi se një profesor i tij në Stamboll gjatë orës së fundit të leksioneve të së Drejtës u kishte thënë: Ju tani keni një formim ligjor të mirë dhe mund të merreni dhe me politikë, por që të jeni të suksesshëm në politikë duhet pa tjetër të jeni të pavarur ekonomikish të paktën të keni një pasuri me të cilën mund të jetoni nja 20 vjet pa ndihmën e rrogës a të tjetërkujt. Një politikan i varfër korruptohet shpejt. Po të jeni të vatfër mos iu fusni karrierës politike, se do t’ju tërheqin për hunde të tjerët.

Ky leksion, shtoi Kristoja, që i vleu tim eti, mendoj se vlen edhe për mua. Ne po dalim nga regjimi diktatorial shumë të varfër, kushdo që do të merret me politikë, ka për tu turpëruar shumë shpejt. Natyrisht që disa njerëz duhet të dalin për të udhëhequr proceset, por ata, mendoj se do të jenë nga ata që nuk e kanë dëgjuar një leksion të tillë.

Gjatë vitit 1991, udhëheqja e PPSh-së, duke pasur frikë nga disa intelektualë si Kristoja, Sali Berisha, etj, organizoi dhënien e titullit Profesor, për t’i marrë me të mirë, për të krijuar përshtypjen se ata ishin kuadrot e saj dhe se ajo i kishte në konsideratë, etj.

Në mars të vitit 1992, kur fitoi zgjedhjet partia demokratike, u takova përsëri me Kriston dhe i thashë: Mirë që nuk deshe të aktivizoheshe drejtpërdrejt si politikan dhe nuk u fute në Partinë Demokratike e nuk more pjesë në fushatën e zgjedhjeve, po tani të paktën duhet të ndihmosh me njohuritë e tua. Mendoj se presidenti i ri, duke qenë mjek, duhet të ketë pranë një konsulent të aftë si ty për t’i përgatitur e redaktuar fjalimet. A pranon t’ia shtie në vesh Saliut këtë gjë?.

Për të ndihmuar në këtë mënyrë jam dakord, m’u përgjigj Profesori.

Shkova te selia e Partisë Demokratike dhe takova ing. Petraq Kolevicën, deputet i Partisë Demokratike, bisedova me të dhe i thashë se Prof. Kristo Frashëri është i gatshëm të punojë si ndihmës i z. Sali Berishës për t’i përgatitur, ose redaktuar fjalimet…. Petraqi e pëlqeu mendimin dhe shkoi e pyeti z. Berisha, por ky i qe përgjigjur: Kristoja është një nga personat e dënuar nga partia dhe po na akuzojnë se kemi aktivizuar shumë prej ish-të dënuarve. Në ata detyrë, unë kam menduar të marrr Prof. Bujar Hoxhën.

Më 1997, kur erdhën socialistët në fuqi e emëruan prof. Kristo Frashërin Zv.Kryetar të Akademisë së Shkencave, ndonëse ai ishte personi më i përshtatshëm për t’u emëruar kryetar. Vënia e mjekut Ylli Popa për kryetar të ASH tregonte qartë se ky ishte besniku i pushtetarëve socialistë dhe jo Kristoja. Studiuesi Kristo Frashëri dukej se kishte mbetur i pavarur, ndonëse disa demokratë e kishin sulmuar.

Kur Kristoja botoi monografinë monumentale Gjergj Kastrioti Skënderbeu Jeta dhe Vepra (2002), qeveria socialiste nuk ia dha titullin NDERI I KOMBIT, dhe as u interesua ta botonte këtë vepër në anglisht, sepse ajo nuk ia falte Prof. Kristos faktin se ai nuk ishte një historian servil i saj…

Për herë të fundit e takova në 4 nëntor 2007, kur i shkova me Dr. Iliaz Gogën në shtëpi, një apartament modest me një dhomë e një kuzhinë, pronë e të birit që kishte emigruar në Gjermani me familjen. Aty jetonte i vetmuar, sepse si djali dhe dy vajzat, ashtu si shumicën e ne të ikurve, i kishte dëbuar atdheu me fukarallëkun e skajshëm ku na kishte katandisur diktatura e gjatë. Për fat të keq në vitin 1995 i kishte vdekur edhe gruaja. Ai e mposhtëte vetminë duke vijuar të punonte në kuzhinë ku kishte ngritur studion me tavolinën e punës dhe raftet me libra e dorëshkrime. Dhëmbët e gojës i ishin rralluar tepër, tek karrigeja mbante një bastun, nga sytë nuk shikonte mirë, por në bisedë ishte energjik si më parë.

Më thanë se ke dhënë një intervistë në television për figurën e Enverit, e pyeta sa për të filluar bisedën.

– Po, më tha, e vlerësova për periudhën e Luftës Antifashiste, sepse pavarësisht nga gabimet, ka merita si komandant i forcave partizane në ato vite kur Shqipëria luftoi përkrah aleatëve. E shava për vitet e mbasluftës, kur u bë çdo vit e më beterr…

Para se të largohesha, i shkrova dedikimin në librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re, KUMI 2007, të cilin Iliazi ia kishte shpënë dy javë më parë. Më uroi me gjithë zemër:

Të lumtë ajo dorë, problemin e ke shpënë shumë përpara, por do të më falësh, sytë po më lenë dhe nuk mund ta lexoj dot, vura të tjerë për të më lexuar disa pjesë, ku polemizoje me mua.

Mirë, mirë, i thashë, ne kemi biseduar kaq herë në telefon, edhe letrën që më shkrove me sugjerime e vërejtje, e kam pasur parasysh, por dhe të kam kritikuar, se ti, si ke thënë shpesh, nuk do lajka.

Ku nuk ka kritikë nuk ka shkencë, shtoi ai me të qeshur. Pastaj na tregoi vëllimin e parë të veprës së tij më të re Historia e Tiranës. E përgëzuam, ishte mjaft e vëllimshme. Kur e pyetëm se ku ishte me botimin e vëllimit të dytë, na shprehu keqardhjen se nuk kishte gjetur ende sponsorë.

Profesor Kristoja punoi dhe botoi tërë jetën vepra shkencore dinjitoze, por me to nuk kishte bërë para, madje as sa për të botuar vëllimin e dytë të historisë së kryeqytetit tonë, pa lere pastaj për të paguar një përkthyes e për ta botuar anglisht monogrfinë për jetën e Skënderbeut, heroit tonë të lavdishëm…

Para se të ndaheshim, desha të bënim një foto të re, sepse ajo që kisha bërë katër muaj më parë nuk më pëlqente, por Kristoja tha si me përtim:

-E ç’ vlerë ka një foto tjetër, kur tani jam edhe më plak, lere fare.

U ndamë duke uruar të shihemi prapë…”

(Publikuar në Alb-Shkenca më 27 tetor 2009 dhe te libri im “Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit”, DDS Durrës 2011, f. 303-308).

* * *

Gjatë vizitës sime në Tiranë, nëntor 2018, shkova urova studjuesin Uran Butka, i cili ishte emëruar Drejtor i Institutit të Studimeve Lumo Skendo. Mbas bisedës Prof. Urani më tha të merrja dhuratë disa nga librat e tij. Më intriguan dy prej tyre: “Dritëhije të Historisë – Polemikë me Kristo Frashërin” MALUKA 2012, 220 f. dhe “Vetëm një natë … – Tregime e novela” BOTA SHQIPTARE 2016, 288 f.

Më kënaqën disa tregime, kurse libri polemik më tërhoqi shumë dhe pasi e lexova me vëmendje duke mbajtur shënime, krijova një vlerësim më të saktë për Prof. Kristo Frashërin si historian, i cili në biseda me mua kishte shprehur mendime të guximshme kundër diktaturës dhe diktatorit Hoxha, kurse në shkrime të ndryshme (disa prej të cilave nuk i kisha lexuar se ishin botuar pas largimit tim 1996), kishte vijuar të shprehte ide dhe interpretime të politizuar ndaj mjaft ngjarjeve historike, si ndaj dokumentit të shpalljes së pavarësisë, ndaj Mbretit Zogu I, mbivlerësime ndaj forcave partizane dhe nënvlerësime të forcave nacionaliste e balliste në Luftën Antifashiste, nënvlerësime për figurën e Mid’hat Frashërit, Abaz Ermenjit, etj.

Nga ana tjetër studjuesi Spartak Ngjela ka vënë në dukje se procesverbalet e mbledhjes së themelimit të PKSh-së ishin marrë prej Karabinierisë italiane dhe ruhen në arkivat italiane në dosjen e Zef Malës. Avokati S. Ngjela ka shkruar e ka thënë dhe në TV se udhëheqës i PKSh-së, që nga dita e themelimit të saj, – 8 nëntor 1941 e deri më 16-22 mars 1943, – kur u mbajt Konferenca e parë e partisë, udhëheqës i PKSh-së ishte Miladin Popoviçi. Kurse Enver Hoxha u zgjodh udhëheqës i PKSh-së pikërisht në këtë konferencë. Historiani Kristo Frashëri, ish-anëtar i PKSh-së që në fillim të vitit 1942 e dinte mirë këtë fakt, por nuk e përmendi kurrë dhe nuk tha se PKSh-ja u krijua dhe u manipulua prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, të drejtuar prej J. B. Titos.

Këto dobësi e lëkundje të Prof. Kristo Frashërit, më kujtuan dobësitë dhe lëkundjet e shumë intelektualëve partiakë. Kështu Prof. Pëllumb Xhufit, kuadër që ka moshë të re, por, ashtu si Prof. Kr. Frashëri, ndonëse është studjues shumë i mirë për problemet historike të shekujve të kaluar, për vlerësimet dhe interpretimet e ngjarjeve të shekullit të XX nuk shkëputen dot nga vlerësimet e politizuar të bëra prej studjuesve partiakë gjatë viteve të diktaturës komuniste. Edhe pse ata mund të kenë rezerva dhe mund të kenë shprehur midis shokësh, si Krisua ndaj meje) kritika ndaj aspekteve të ndryshme të diktaturës komuniste shqiptare dhe diktatorit Hoxha, përsëri në shkrimet e tyre publike nuk tregohen objektivë dhe vijojnë të shprehin për shumë ngjarje dhe personalitete historike të njëjat mendime sii patën shprehur gjatë kohës së diktaturës. Nënvlerësojnë përpjekjet europianizuese të Mbretit Zogu I, nënvlerësojnë karakterin atdhetar të nacionalistëve dhe të krerëve të Ballit Kombëtar deri në fund të gushtit 1943. Nuk duan t’ia njohin përgjegjësinë Enver Hoxhës, që duke e shpallur organizatë tradhëtare Ballin Kombëta, pa bërë ende tradhëti, i shtyu shumë forca të Ballit që të gabonin e të lidheshin me pushtuesit gjermanë për të shpëtuar nga pushkët e partizanëve.

Krijuesit shqiptarë dhe studjuesit e shkencave shoqërore në veprat e tyre kanë shprehur e do të shqprehin vlerësimin e tyre ideo-emocional ndaj dukurive që trajtojnë dhe interpretojnë në veprat e tyre. Kjo është e drejta e tyre për të bërë poitikë. Dhe nuk ka art e shkenca shoqërore jashtë politikës. Kur ata e interpretojnë një dukuri, ngjarje ose personalitet historik sipas ligjeve objektive, bëjnë politikë përparimtare, krijojnë vepra jetëgjata. Kurse, kur interpretimi i tyre është i ndikuar prej interesave të një partie politike, ata krijojnë vepra të politizuara partiake, të cilat nuk janë jetëgjata.

Krijuesit dhe studjuesit që krijuan gjatë viteve të diktaturës komuniste e pas saj, do të vlerësohen për veprat e tyre të shëndosha, por nuk ka pse të mos kritikohen për veprat e tyre të politizuara, me të cilat shtrembëruan të vërtetat historike. Kur njeriu hesht ndaj një padrejtësie, kjo do të thotë se ai e miraton atë. Mirëpo një ditë secili do t’i japë llogari shoqërisë, qoftë dhe pas vdekjes. Zhvillimi dhe emancipimi i shoqërisë shqiptare do ta sjellë atë ndërgjegjësim kur çdo shqiptar do ta vlerësojë padrejtësinë, që i është bërë ose i bëhet dikujt, si padrejtësi ndaj gjithë shoqërisë.