Polonia e vë në siklet SHBA-në me propozimin për aeroplanët MIG-29

Uashington / Varshavë, 9 mars 2022 – Pentagoni e ka refuzuar ofertën e Polonisë që aeroplanët e saj luftarakë MIG-29 t’ia  dorëzojë Ukrainës, pasi t’i ketë dërgfuar më pare në bazën amerikane Ramstein në Gjermani.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes e ka cilësuar si “të pambështetur” ofertën e Polonisë. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se nisma paraqet “sfida të vështira logjistike” dhe se ka “rezerva serioze”, duke pasur parasysh dimensionin gjeopolitik.

Victoria Nuland, diplomate e rangut të lartë në Depadrtamentin Amerikan të Shtetit, e ka cilësuar si “të papritur” këtë propozim të Polonisë, duke shtuar se për këtë nuk ishin marrë vesh.

Edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka shprehur rezerva serioze lidhur me propozimin eVarshavës.

“Duhet të sigurohemi që lufta në Ukrainë të mos përhapet në territorin e NATO-s”, ka thënë ajo në një intervistë për “Bild-TV”.

Ajo ka thënë se as dërgesat e armëve në Ukrainë nuk duhet të jenë pretekst që të thuhet se Gjermania po merr pjesë në luftë. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka paralajmëroi Perëndimin pikërisht për këtë.

Të martën në mbrëmje, Polonia u shpreh e gatshme që flotën e saj të aeroplanëve luftarakë sovjetikë ta transferojë në bazën ajrore amerikane në Ramstein të Gjermanisë, prej nga Shtetet e Bashkuara mund t’i vënë në dispozicion Ukrainës, ecila do t’i përdorte në luftën kundër njësive ruse.

Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë tha se ky vendim është marrë pas deklaratës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Të dielën, gjatë vizitës në Moldavi, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtonin mundësinë që Polonia t’ia dorëzojë Ukrainës aeroplanët luftarakë të saj MIG-29, pasi pilotët ukrainas nuk janë të trajnuar të operojnë me aeroplanë amerikanë. Sipas Blinkenit, Uashingtoni po shqyrtonte mundësinë që SHBA t’i dërgonte Polonisë aeroplanë amerikanë.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka theksuar se çdo vendim për furnizimin e Ukrainës me armë sulmuese duhet të merret nga NATO.

“Ne nuk jemi gati të ndërmarrim veprime vetëm”, ka thënë Morawiecki.

“Polonia, vend anëtar i NATO-s, nuk është pjesë e luftës në Ukrainë”, ka shtuar ai.

Që nga fillimi i luftës, Ukraina i ka kërkuar Perëndimit t’i sigurojë aeroplanë luftarakë, në mënyrë që të jetë në gjendje të mbrohet nga sulmet ajrore ruse.

“Nëse nuk na siguroni të paktën aeroplanë që të mbrohemi, atëherë dëshironi që ne të vdesim ngadalë”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj, në një nga thirrjet e tij emocionale drejtuar botës perëndimore.

Pilotët e Forcave Ajrore të Ukrainës janë trajnuar vetëm në aeroplanë luftarakë të tipit “MIG-29” dhe “Sukhoi-27”. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), përveç Polonisë, edhe Sllovakia dhe Bullgaria janë vende të Bashkimit Evropian që kanë MiG-29. Polonia i kishte marrë 28 aeroplanët e saj nga Gjermania, në fillim të viteve 2000 për shumën simbolike, një euro.

(Sipas DW)