Pozita është për shtyrjen e zgjedhjeve, opozita është kundër

Prishtinë, 13 shtator 2021 – Pozita dhe opozita kanë qëndrime të ndryshme  lidhur me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të caktuara për datën 17 tetor, me qëllim të parandalimit të një vale tjetër të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është pro shtyrjes së zgjedhjeve, ndërsa partitë opozitare janë kundër shtyrjes së zgjedhjeve, por pro shkurtimit ose pezullimit të plotë të fushatës zgjedhore konvencionale.

Këto qëndrime u shprehën nga kryetarët ose përfaqësuesit e partive politike pas takimit të përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku u diskutua lidhur merekomandimin për shtyrjen e zgjedhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se partia e tij është për shtyrjen e zgjedhjeve, por theksoi se do ta respektojë vendimin e shumicës së partive.

“Në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi një valë të re – për shkak se varianti Delta është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor – ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë. Le të merret cilido vendim që merret, ne do ta respektojmë atë. Por, jemi të brengosur, meqenëse nuk krahasohen zgjedhjet lokale me zgjedhjet parlamentare nacionale, nuk janë 110 kandidatë, janë diku 900 kandidatë… dhe nuk votohet vetëm një herë, por do të kemi edhe balotazh”, tha ai.

Por, përfaqësuesit e partive opozitare u shprehën kategorikisht kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se në takim nuk ka pasur pajtueshmëri për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

“Ne besojmë që një skenar për shtyrje të zgjedhje nuk bën të ekzekutohet, sepse në pyetje është demokracia. Nuk kishte pajtueshmëri për shtyrje të zgjedhjeve dhe kjo është ditë e mirë për demokracinë”, tha ai.

Abdixhiku tha se dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mbështetur propozimin e tij për shkurtimin e fushatës zgjedhore, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk është deklaruar fare.

“Në situatën e tanishme, unë kam bërë një propozim për shkurtim të fushatës zgjedhore dhe, siç jeni informuar, kam marrë përgjigje nga AAK dhe PDK. Nuk kam marrë përgjigje nga Kurti. Ne kemi marrë vendim si LDK që do të ushtrojmë fushatë 5 ditë ose fare”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se kjo parti është e gatshme të heqë dorë nga fushata zgjedhore, por është kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

“Ne të gjithë shprehëm qëndrimin tonë që jemi të gatshëm të mos ketë fushatë konvencionale apo të ketë vetëm disa ditë. Por, nuk e morëm një konfirmim apo gatishmëri të tillë nga ana e Kryeministrit Kurti, ndërsa për sa i përket vendimit unë besoj që nuk do të ketë shtyrje të procesit zgjedhor”, tha ai.

Edhe përfaqësuesi i Alëancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, tha se Presidentja Osmani ka deklaruar se vendimi për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve merret me konsensus të partive politike. 

“Presidentja tha se pa konsensus politik nuk mund të marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa Kurti tha se dëshiron të shtyhen zgjedhjet por shtoi se nuk do të impononte vendimin e tij”, tha ai.

Subjektet politike të komuniteteve joshumicëjanë të ndara rreth rekomandimit për shtyrjen e zgjedhjeve.

Emilia Rexhepi nga komuniteti boshnjak tha se ky suvjektështë për shtyrjen e zgjedhjeve deri në pranverë, ndërsa Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim tha se është kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

(r.m.)

Comment

*