Pranvera e përgjakur e Bostonit

Përjetime për tragjedinë e 15 prillit

 

Nga Fuat Memeli

 

Prej ditësh, pranvera kishte trokitur edhe në Boston. Në këtë muaj të bukur, prej 100 e ca vjetësh, organizohet marathona e Bostonit. Tashmë ajo është kthyer në traditë, prandaj aty vijnë vrapues jo vetëm nnga shteti i Masachuttses, por edhe nga shtete të tjera të Amerikes, bile edhe nga Eurpoa. Kështu ndodhi edhe sivjet. Rreth 9000 vrapues ishin pjesëmarrsit e kësaj gare. Por, dora kriminale e përgjaku këtë festë , duke shkaktuar tre të vdekur si dhe rreth 170 të plagosur. U përgjak kështu pranvera e sivjetme e Bostonit. Miliona njerëz në Amerikë e në botë, ndien dhimbje. Pjesë e saj, ishte edhe dhimbja e shqiptarëve. Lajmi i kobshëm i asaj dite, u përhap në gjithë botën, mes tyre edhe te shqiptarët. – Alo! Duam të dimë si jeni? A pësuat gjë nga bombat?-Jo, jemi mirë, ishte zëri në këtë anë të telefonit.- Po shqiptarë a ka të vrarë apo të plagosur?-Jo, jo, nuk ka, ishte përgjigja. Sa qetësonim dikë, binte përsëri zilja nga dikush tjetër. Kështu ndodhi me të gjithë shqiptarët që jetojnë në Boston e rrethinat e tij. Kur mernin vesh se nuk kishte shqiptarë të vrarë e të plagosur, qetësoheshin por përsëri vazhdonin:- Na vjen shumë keq edhe për ata që u vranë e u plagosën , pavarësisht se nuk ishin shqiptarë, ishin bij e bija nënash.
Vërtet nuk u vranë shqiptarë por disa pre tyre kanë qënë shumë pranë rezikut. Një prej tyre është vajza ime, Rezarta, e cila punon te Banka Amerikane që ndodhet shumë afër vëndit të ngjarjes.
– Atë ditë e mabruam punën në orën dy, tregon ajo. Banka u mbyll më shpejt se ditët e tjera për efekt sigurie, me që ishte maratona. Unë dola nga puna dhe po ndiqnja ardhjen e maratonistëve aty te flamujt. Ndërkohë po kërkoja të shoh edhe flamurin shqiptar por nuk e pashë. Më pas kalova më tutje, kur dëgjova shpërthimin, ulërimat dhe pashë tymin që u ngrit lart. Më mbrojti Zoti. Nuk më besohet.
Aurel Duka, një shqiptar tjetër që ka qënë pranë vëndit të ngjarjes. Ai punon kamarier te restorant “Vlora”që ndodhet në rrugën ku ngjau shpërthimi.-Atë ditë kishim shumë klientë dhe prisnim të bënim xhiro. Nga shpërthimi i madh, u tund vendi. Nuk dinim ç’ndodhi kur pamë në televizor që shpërthimi kishte qënë pranë nesh. Pas pak, erdhi një polic dhe urdhëroi në çast të mbyllej lokali e të gjithë njerzit të dilnin jashtë. Disa klientë ikën pa paguar, pasi zbatuan urdhërin e policit. Punonjësit e lokalit u tmeruan shumë ndërsa unë me thënë të drejtën, jo edhe aq, pasi ne shqiptarët na kanë “kalitur” ngjarjet e vitit 1997, thotë ai me humor. Më pas sinqerisht ndjeva dhimbje, shton ai, pasi ngjarja ishte tepër e rëndë.

NJË TUFË LULE E NJË FLAMUR SHQIPTAR PËR VIKTIMAT

Ditën e dytë pas ngjarjes tragjike, vendosa të shkoj te vëndi i ngjarjes. U nisa me autobus, vazhdova me dy trena, ndërsa më pas e bëra rrugën më këmbë, pasi stacioni i trenit”Copley”që të shpie te vëndi i ngjarjes, vazhdon të jetë i mbyllur nga policia. Një ndjenjë dhimbje e trishtimi më kish pushtuar. Desha të shkoj te dy vëndet e shpërthimit të bombave por ishte e pamundur. Rruga në fjalë për afro një kilometër, është e bllokuar nga të gjitha anët. Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët, njerzit që bëjnë homazhe për viktimat, janë përqëndruar aty ku është bllokuar rruga. Njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme, afrohen në heshtje dhe vendosin lule te freskëta për viktimat. Dikush ka shkruar fjalën “Paqe” ose fjalë të tjera ngushëlluese për viktimat e 15 prillit.
Mes pjesëmarrësve ka njerëz të përlotur. Një nga ata është studentja e Universitetit të Bostonit, Headher Bunp. Kur e shoh që loton, e pyes mos ka patur ndonjë të afërm, shok apo shoqe që është vrarë ose plagosur. –Jo! më thotë por ndiej dhimbje për gjithë viktimat, për gjithë ata njerëz të pafajshëm.
Njerzit e medias fiksojnë momente të ndryshme nga ky vënd peligrinazhi , disa prej tyre edhe trasmetjonë direkt, siç ishte një kanal televiziv kanadez dhe një francez. Mes atyre që kanë ardhur për t’ë bërë homazhe e për t’u lutur për viktimat, janë edhe dy besimtarë me origjinë nga Tibeti i largët. Ata flasin në gjuhën e tyre dhe u bien zileve që kanë në dorë. Është një ritual i veçantë ky i vajtimit të tyre ndaj fiksohet nga shumë kameramanë e njerëz të tjerë. Ndër ata që bënë homazhe për viktimat, isha edhe unë shjqiptari i largët.
Vendosa një tufë lule më tre trëndafila ( aq sa ishte numri i te vrarëve), vendosa një flamur të vogël shqiptar si dhe një letër ku kish a shkruar në anglisht:” Ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre-Albania”. Me këtë gjest, shpreha edhe unë dhimbjen time për viktimat e m’u duk sikur u lehtësova sado pak. E ç’mund të bënja më tepër? Shkrova edhe këto rradhë si homazh për ‘ta.

ATA QË VRASIN DO VDESIN, ATA QË U VRANË DO KUJTOHEN

Dhimbja që shkaktoi tragjedia e 15 prillit, preku shumë zemra shqiptarësh në Boston, në qytete të tjera të Amerikës dhe kudo ku ata punojnë e jetojnë nëpër botë. Unë mblodha disa “copëza” dhimbjesh e përjetimesh të disa shqiptarëve të Amerikës. I pari që reagoi në faqen e Shoqatës “Mass.Besa” ishte intelektuali, Agron Gjerasi, me banim në Boston. Ndër të tjera ai shkruante:” Atë ditë që ndodhi ngjarja rtragjike, babi im në moshë 80 vjeçare, mori pashaportën amekikane dhe shkuam në një lokal si familje për ta festuar. Pa kaluar pak kohë, ndodhi ngjarja tragjike. Gëzimi ynë u këput në mes. Të gjithëve na mbuloi dhimbja për viktimat”.
Një përjetim tjetër lexova në faqen e krijuesve të “Botës së re”. Ishte poetja, Julia Gjika, bashkëshortja e historianit të njohur, thanas Gjika, me banim në Uster , që nëpërmjët një poezie te bukur, shprehte dhimbjen e saj. Ja disa nga vargjet e asaj poezie:
Flamujt e gjithë botës ulën kokën/ Të mbledhuur tok s’pipëtinin/U këputën balonat nga duart e fëmijëve /Në hapësirën e mbushur nga tymi, britmat ngriheshin trishtueshëm/ Ky gjak i pafajshëm që u derdh në prill/ Si shirat që ushqejnë pranvetën… etj.
Andon Dede, ish gazetar në TVSH, banues në New York: “Kjo ngjarje ishte më e rëndë se lufta , pasi në luftë e ke armikun përballë dhe je i përgatitur për ç’do gjë, ndërsa kjo ishte një vepër buracakësh, që vrau në mes të ditës njerëz të pafajshëm. Ajo i bën dëm edhe vetë fesë, në rast se ky akt është kryer nga ekstremistë fetarë”.
Fiqri Shahinllari, ish gazetar te gazeta “Bashkimi”banues në Nju Xhersi:”Pavarësisht se ngjarja ndodhi në Boston, ndjenja e keqardhjes për viktimat dhe urejtja për aktin terrorist, ishte e madhe edhe për mua. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Çdo zemër njerëzore, është lënduar rëndë nga kjo ngjarje. Atë çast më shkoi mëndja tek të gjithë miqtë e mij që kam në Boston si Sotiir Panin, Kostandin Moskon, Rozi Theoharin, Sevo Peshën e plot e plot të tjerë.U qetësova pak kur mësova se ata ishin mirë, por brenga nuk më largohej, pasi gjithë vktimat ishin njerëz të pafajshëm”.
Jani Plasa, ish mësues letërsie në Shqipëri , njëkohësisht edhe shkrimtar, banues në Quinci, afër Bostonit:”Duke ndjekur marathonën, një veprimtari që promovon dashurinë dhe paqen mes njerëzve, papritur, gëzimi im u pre si me thikë prej zhurmës, tymit dhe flakës. Kur filluan të kalonin në ekran viktimat e terrorit , fëmijë, gra , të moshuar…ndjeva përvëlimin e plagëve të tyre. Shija e pështirë e shkaktuar prej sulmit të pabesë, u bashkua me ndjënjën e dënimit dhe urrejtjes ndaj kriminelëve. Në mbrëmje Tv-të njoftuan se banorët e Bostonit, hapën dyert për marathonomistët amerikanë dhe të huaj. Kjo ndjenjë solidariteti, është një tregues tjetër i madhështisë së shpirtit të popullit amerikan. Në këto caste , në çdo zemër amerikane, buçet kënga:” Good blees Ameriaka”. Këndoj edhe unë bashkë me ‘ta”.
Shefqet Meko, ish gazetar te Radio “Tirana” , banues në Minesota:” Gjithë kjo që ndodhi, është një përpjekje për të frikësuar njerzit , por kushdo që synon këtë, është i dështuar, sepse këtu jetojnë njerëz të lirë, që kanë ardhur nga ferri dhe diktatura. Këtu askush nuk mund ta gjunjëzojë njeriun e lirë. Ata që vrasin, do vdesin, ata që u vranë, do kujtohen. Duke shprehur dhimbjen për viktimat e Bostonit, kujtoj katër viktimat që u vranë ashiqare në Tiranë më 21 janar dhe askush nuk mori dënimin që meritonte”.
Dhimbjen e tyre për tragjedinë e 15 prillit, më shprehën edhe mjaft shqiptarë të tjerë që jetojnë në Boston si Sotir Pani, Kostandin Mosko, Sami Ajdini, Petrit Labëria, Albert Ajdinlli, e plot të tjerë.
Këto ishin disa “copëza”përjetimesh , për tragjedinë e madhe të 15 prillit , tragjedi e cila përgjaku pranverëne sivjetme të Bostonit. Por, megjithëse u përgjak, pranvera amerikane do të vazhdojë blerimin e saj, pasi atë nuk ka forcë ta ndalë. Në rrënjët e saj , është edhe gjaku i tre të vrarëve dhe rreth 170 të plagosurve të pafajshëm.

Comment

*