Predikimet e një hoxhe mbi “moralin” nxitën reagime e debate

Bashkësia Islame e Kosovës ka nisur procesin e vlerësimit të Imam Irfan Salihu të xhamisë “Suzi Zerrini” në Prizren – Gratë e përfshira në jetën politike e publike, organizata e ndonjë intelektual, reaguan ndaj gjuhës fyese e denigruese dhe ndaj thirrjeve për linçimin e femrave “të pamoralshme” – Por, në opinion u shfaqën edhe parti, organizata dhe forume me axhenda islamiste e proislamiste që morën në mbrojtje hoxhë Salihun

 

Ramadan Muçolli

PRISHTINË, 6 qershor 2013 – Videoregjistrimi i një “ligjërate” të një hoxhe të panjohur deri më tash jashtë rrethit ku jeton e vepron, e cila është vënë në qarkullim në rrjetet sociale në internet, ka nxitur reagime dhe kundër-reagime edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputetet e tri grupimeve më të mëdha politike, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë gjykuar ashpër pikëpamjet dhe gjuhën e hoxhës Irfan Salihu, i cili ka fyer e etiketuar rëndë shumicën dërrmuese të femrave shqiptare, duke i quajtur të pamoralshme.
“Çdo femër që bën akt intim pa niçah, pa kurorë, sipas dispozitave të islamit, është rrospi dhe kurvë”, ka predikuar imami i xhamisë Suzi Zerrini në Prizren, Irfan Salihu.
Imami ka bërë thirrje edhe për dënimin e femrave “të pamoralshme”.
“Dënoni në këtë botë, tuj i lanë si meçkat e sokakut. Leni. Këto nuk mujnë me qenë edukatore të çikave t’juja dhe të djemve t’juj. Këto nuk mujnë me qenë gra besnike ndaj jush”, ka këshilluar ai besimtarët e rinj.
Alma Lama, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje” (VV), gjykoi ashpër pikëpamjet dhe gjuhën e hoxhë Salihut, por edhe heshtjen e politikanëve të Kosovës ndaj tendencës së rritjes së fundamentalizmit fetar.
“Është e turpshme që klasa politike sot hesht ndaj këtij fenomeni që po rritet nga dita në ditë. Është e papranueshme që politikanët heshtin sepse kanë frikë se mos e humbasin ndonjë votë. Po ju garantoj se heshtja e sotme do të jetë fatale për të gjithë ne, nesër”, theksoi ajo.
Deputetja e Vetëvendosjes tha se përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi Qeverinëë, e cila, sipas saj, “nuk është në gjendje as të kontrollojë financimet e dyshimta që hyjnë në Kosovë, e të cilat sot duket se kanë vënë nën zap edhe institucionet tradicionale të fesë”.
Teuta Sahatçiu, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cilësoi “ligjëratën” e hoxhë Salihut si nxitje të dhunës ndaj femrave dhe i bëri thirrje Bashkësisë Islame të Kosovës që të distancohet nga kjo mënyrë e predikimit.
“Kosova është vend laik ku respektohet feja me Kushtetutë dhe ligje, ku gratë dhe burrat i kanë të garantuara të drejtat e tyre. Kosova është vend ku nxitja e dhunës dhe urrejtjes është e ndaluar me ligj”, theksoi Sahatçiu.
Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se gjuha e “ligjëratës” së hoxhë Salihut shkel parimet dhe të drejtat njerëzore.
“Kjo gjuhë e përdorur është plotësisht e papranueshme dhe shkel rëndë mbi parimet dhe të drejtat e njeriut, që janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Tendenca për të njollosur virtytet e nënave dhe të grave tona është tendencë për të shkelur rëndë mbi shtetin, mbi liritë, mbi barazinë gjinore e njerëzore në vendin demokratik e shtetin tonë”, tha deputetja Deliu-Kodra.
Ajo tha se grupi parlamentar i PDK-së “shpreson dhe beson se ky është një rast i izoluar dhe komplet i ndarë nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe kërkoi që Bashkësia Islame e Kosovës “të kërkojë që raste të tilla të izoluara të mos përsëriten më”.
Ndryshe prej tyre, Gëzim Kelmendi, deputet i Koalicionit për Kosovë të Re (KKR), e ka marrë në mbrojtje hoxhën dhe i “këshilloi” reaguesit që “ligjëratën” e përmendur ta dëgjojnë të plotë dhe të mos shkëputin prej saj pjesë që “nuk e pasqyrojnë të plotë” qëndrimin e hoxhës lidhur me moralin e femrës shqiptare dhe lidhur me virgjërinë.
Ky deputet i Partisë së Drejtësisë (PD), e cila ka program pro-islamik, shprehu habinë që pozita dhe opozita në kuvend gjejnë gjuhë të përbashkët “në mbrojtje të amoralitetit”. Ai kritikoi deputetet pse kërkuan që BIK të distancohet nga qëndrimet e hoxhë Salihut dhe i akuzoi pse kishin votuar kundër bartjes së mbulesës së vajzave në shkollat fillore e të mesme të Kosovës.
Deputetet e Kuvendit të Kosovës kanë reaguar ndaj gjuhës së hoxhë Salihut edhe para seancës së të enjtes, nëpërmjet një deklarate të grupit të tyre joformal. Ato kanë shprehur shqetësimin e tyre për “gjuhën helmuese” të hoxhë Salihut dhe kërkuan nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) që të distancohet prej tij.
Shqetësimet dhe kërkesat e tyre, Grupi i Grave Deputete paraqiti edhe të enjten, në një takim me kreun e hierarkisë së fesë islame në Kosovë.
Kryesia e BIK ka bërë të ditur se tashmë ka inicuar procedurat ligjore ndaj hoxhës moralizues dhe se një vendim lidhur me të do të merret konform dispozitave dhe normave ligjore të BIK-ut.
Ndërkohë, shqetësimeve të deputeteve u janë bashkuar edhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RRGGK). Ky asociacion i shoqatave joqeveritare që merren me çështje të grave, vlerëson se gjuha e përdorur në deklaratën e hoxhë Salihut bie në kundërshtim me Nenin 8 të Kushtetutës së Kosovës dhe nxit përçarje fetare dhe urrejtje në mes të popullit të Kosovës.
Në qarqet intelektuale reagimet publike lidhur me “predikimin” e hoxhë Salihut mbi “imoralitetin” kanë qenë të pakta. Reagimi i parë dhe, pa dyshim, më i pakompromis, ka qenë ai i Halil Matoshit. Shkrimtari e gazetari i njohur në Kosovë për guximin e tij qytetar, e cilëson “ligjëratën” e hoxhës si thirrje për linçim të femrave të reja dhe tërheq vërejtjen se ato mund të bëhen edhe shënjestër e sulmeve fizike.
“Kjo është thirrje për linç publik, kjo mund të cenojë rendin publik, konstitucionin shpirtëror dhe juridik të kësaj shoqërie, jetën dhe shëndetin, si dhe reputacionin shoqëror të shumë femrave të reja që mund të bëhen caqe të lehta sulmesh e etiketimesh, pra ato mund të shndërrohen në viktima të këtyre predikimeve hipokrite”, shkruan Matoshi në kolumnen e tij të rregullt në gazetën ”Koha ditore”.
“Prokuroria e shtetit ex officio do të duhej ta padiste Irfan Salihun dhe ta penalizonte për thirrje në dhunë… Kështu do të ndodhte në secilin vend ku sundon ligji”, shkruan Matoshi në fund të kolumnes së tij në gazetën “Koha”.
Por, as ithtarët e vijës së fortë të islamizmit nuk kanë bërë sehir. Ata janë vënë fort në mbrojtje të pikëpamjeve të hoxhë Salihut.
Lëvizja Islame Bashkohu (LISBA) i ka dënuar ato që ajo i cilëson si “sulme të paskrupullta dhe akuza të pabaza” ndaj këtij hoxhe. Për më tepër, kjo lëvizje me axhenda islamiste që është regjistruar si parti politike, i etiketoi si të pamoralshëm ata që reaguan kundër fyerjes dhe etiketimit të femrës shqiptare. Në reagimin e saj thuhet se “… ata të cilët sulmuan hoxhën dhe lloji i tyre, (…), nuk njohin moral apo e definojnë atë në pajtueshmëri me shfrenimin dhe degjenerimin e tyre, duke dashur që edhe të tjerëve tua imponojnë atë” .
Ndërkaq, një organizatë islamike, me emrin Forumi i të Rinjve Muslimanë, ka shkuar edhe më larg, duke cenuar rëndë integritetin moral të ministres së Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, e cila ka reaguar kundër denigrimit moral të femrave shqiptare. Në një reagim plot fyerje e etiketime, të cilat do të duhej të ishin objekt shqyrtimi në organet e drejtësisë, kjo organizatës e gjykon ministren Çitaku se “ka dalë në mbrojtje të femrave amorale sikur ajo vetë”.
Ministrja Çitaku e kishte postuar në llogarinë e saj në Facebook reagimin që provokoi fyrjet e kësaj organizate.
“Gjinia është konstrukt shoqëror, e njerëzi,t burra e gra, janë njerëz. Vlerat, virtytet nuk janë gjinore, po njerëzore!”, ka shkruar ajo.

Comment

*