Prej të hënës, Austria futet në izolim të plotë

Vjenë, 19 nëntor 2021 – Disa ditë pasi Austria ka vendosur masa izolimi ndaj personave të pavaksinuar kundër koronavirusit, autoritetet e këtij shteti kanë bërë të ditur izolim kombëtar, duke nisur nga dita e hënë, 22 nëntor.

Kancelari austriak, Alexander Schallenberg, ka thënë se izolimi do të zgjasë të paktën 10 ditë dhe do të ketë kërkesë ligjore për t’u vaksinuar kundër koronavirusit nga data 1 shkurt 2022.

Ky vendim është marrë pas raportimit të shifrave rekorde të infektimit me koronavirus në Austri.

Austria është po ashtu një prej vendeve me shkallën më të ulët të vaksinimit kundër këtij virusi në Evropën Perëndimore.

Shumë shtete evropiane janë duke vendosur masa kufizuese, pas rritjes së numrit të rasteve.

“Nuk duam valë të pestë”, ka thënë Schallenberg, pas takimit me guvernatorë të nëntë provincave të Austrisë.

Masa izoluese kundër personave të pavaksinuar kanë marrë edhe Republika Çeke, Sllovakia dhe Gjermania.

(REL)

Comment

*