Premtimet e fundit elektorale pak para finishit të 23 qershorit

Rama: Legalizimet e shtëpive do t’i bëjmë falas – Berisha: Qytetarët paguajnë sot vetëm 30% të vlerës së legalizimeve

 

Aristir Lumezi

Kur kemi hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale është shtuar doza e premtimeve të liderëve politikë. Në një takim të zhvilluar me banorë të Tiranës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama premtoi në mënyrë të befasishme se të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje, do t’i legalizojnë ato falas.

“Familjet nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për legalizimin, nuk është premtim elektoral. Të gjitha shpenzimet e procesit të legalizimit do t’i bëjë shteti. Mos i besoni teorisë së Saliut se do t’ju vëmë nga një zyrë legalizimi në çdo lagje. Kjo është me u vënë nga një hajdut në çdo lagje. Për lagjet informate legalizimi do të jetë falas”, tha Edi Rama. Por këtij premtimi iu përgjigj edhe kryeministri Berisha i cili i kujtoi qytetarëve se qeveria e tij ka përcaktuar vetëm 30% të vlerës së legalizimit të banesave që të kryhet me para cash në dorë.

“Demokratët do ta përmbyllin procesin e legalizimit brenda këtij viti, ndërsa theksoi se kryerja e 70% të pagesës me letra me vlerë është një lehtësim i madh për qytetarët. Mos u mashtroni prej Edi Ramës. Sa ishte kryetar bashkia ju tregoi buldozierët dhe rruspat. Ju konsideroi çeçenë, shpellarë etj. Asnjë qeveri në një vend të lirë, askurrkush nuk mund t’i falë kujt pronën e tjetrit. Nuk ka gjykatë që të pranojë që një qeveri të falë pronën e privatit tek një privat tjetër. Ky është një mashtrim i paskrupullt, për t’ju marrë votën e pastaj për t’ju thënë, shkoni nga keni ardhur”, deklaroi Berisha.

Akuzat

Opozita që nga nisja e fushatës elektorale ka akuzuar qeverinë se jo vetëm dështoi në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, por ka lejuar shtimin e numrit të ndërtimeve pa leje.

“Në gjithë këto vite Saliu ka bërë vetëm 8% të gjithë legalizimeve. Që do të thotë që me këtë ritëm ju duhet të prisni 165 vjet që të mbarojë i gjithë procesi dhe mjerë kujt i bie fundi. E gjeti Shqipërinë me 250 mijë ndërtime pa leje, po e lë me 400 e ca mijë ndërtime pa leje dhe absolutisht asgjë nuk bëri”, është shprehur kreu i opozitës shqiptare Edi Rama. Ndërkohë që opozita ka premtuar se do ta përfundojë këtë proces brenda mandatit të parë qeverisës nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Procesi

Në Shqipëri që nga viti 1991 kur filloi një lëvizje e pa kontrolluar demografike nga zonat rurale drejt atyre urbane, më e dukshme kjo në kryeqytetin e vendit, u ndërtuan rreth 250 mijë ndërtime pa leje dhe shumë herë ose në pronën shtetërore ose në pronën private gjatë një periudhe vakumi ligjor për kthimin dhe kompensonin e pronave. Në vitin 2006 kur nisi procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, numëroheshin 250 mijë ndërtime pa leje dhe ligji përcaktonte se nuk do të njihte asnjë ndërtim tjetër pas kësaj date. Por sot numërohen rreth 400 mijë ndërtime pa leje, pronarët e të cilave duke përfituar nga disa amnisti të miratuara nga qeveria, u është dhënë e drejta që të legalizojnë ndërtimet e tyre.
Sipas ligjit, tarifa e legalizimit të një banese varion nga 1500 dollarë deri në 5000 mijë dollarë në varësi të kateve të banesës dhe këto para që do të mblidhen nga ky proces do të shërbejnë për të kompensuar në para ish pronarët pronat e të cilëve janë zënë nga këto ndërtime. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka shpërndarë disa herë përmes shortet, vlera monetare për ish pronarët duke i kompensuar ata financiarisht.
Propozimi i fundit i kryetarit të opozitës, Edi Rama e fut këtë proces në një të panjohur dhe për vetë situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi. Legalizimi falas i shtëpive të ndërtuara pa leje do të thotë më pak para të mbledhura për ish pronarët që nuk gëzojnë pronën e tyre.

Comment

*