Presidenca franceze: Po punojmë për zhbllokimin e ngërçit midis Sofjes e Shkupit

Paris, 21 qershor 2022 – Presidenca franceze ka bërë të ditur se në mbledhjen e ministrave për çështje europiane të Bashkimit Europian në Luksemburg ka pasur konsensus të plotë për të rikonfirmuar perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Europian është tërësisht i vetëdijshëm për rrezikun e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit, ministri francez për çështjet europiane, Clement Baune, tha se Franca po përpiqet dhe do të përpiqet deri në momentet e fundit të presidencës së saj për të zhbllokuar ngërçin aktual midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që po e mban peng hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

Baune tha se ka shpresë që pengesat aktuale do të tejkalohen në ditët në vijim.

“Presidenca franceze aktualisht po punon me Bullgarinë dhe me Komisionin Europian për të hequr pengesën dhe për të përçuar një mesazh pozitiv në ditët e ardhshme”, tha baune, citon abc.news.

Presidenca franceze ka prezantuar një propozim mbi kuadrin negociues të Bashkimit Europian me Maqedoninë e Veriut, ku parashihet që çështja e të drejtave të qytetarëve bullgarë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që t’i hapet rrugë konferencës ndërqeveritare.

Ministri Baune ka mohuar se propozimi francez mbi kuadrin negociues të Bashkimit Europian me Maqedoninë e Veriut i ka marrë më shumë në konsideratë kërkesat e palës bullgare se sat w palws maqedonase.

‘Unë nuk mendoj se propozimi francez është kundër interesave të Maqedonisë së Veriut. Ne kemi punuar me kujdes dhe me ekuilibër me të dyja vendet dhe me Komisionin Europian për të thënë që mund të përfshihen disa çështje që nuk kanë karakter bilateral, por që kanë të bëjnë me shqetësimet e Bullgarisë lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe këto çështje të trajtohen në mënyrë të kufizuar dhe me kujdes. Shumë shtete anëtare kanë kujtuar se kuadri i negociatave nuk është vendi për t’i zgjidhur të gjitha problemet bilaterale. Kjo duhet të bëhet përmes një shënjestrimi. Pikërisht për këtë shënjestrim po punojmë, duke marrë parasysh kriteret e ekuilibrit dhe barazisë. Kemi një problem ekuilibri aktualisht. Interesi i përgjithshëm është që të hapen negociatat dhe ne po punojmë duke i respektuar të dyja palët. Ky është edhe vullneti i qeverisë bullgare për herë të parë pas shumë kohësh, por ndodhemi para një episodi të politikës së brendshme që nuk më takon ta komentoj”, tha ministri francez për çështjet europiane, Clement Baune.

(r.m.)

Comment

*