Presidentët e Polonisë, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë vizitojnë Kievin

Varshavë, 13 prill 2022 – Presidentët e katër vendeve fqinje me Rusinë, do të vizitojnë sot Kievin, në një shprehje mbështetjeje për Ukrainën, pasi Presidenti Putin u zotua ta vazhdojë ofensivën e përgjakshme 7 javore deri në “përfundimin e saj të plotë”.

Presidentët e Polonisë, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, të gjitha vende të NATO-s, janë të shqetësuara se mund të ndeshen me sulm të ngjashëm nga Rusia në të ardhmen, nëse Ukraina bie.

Në një prej betejave më të rëndësishme, në Mariupol, Rusia tha se mbi 1 mijë trupa ukrainase të qytetit të rrethuar u dorëzuan. Informacioni nuk mund të verifikohet dhe nuk është e qartë çfarë rëndësie do të kishte nëse ishte i vërtetë.

Presidenti Putin mohoi dje që trupat e tij kanë kryer krime, duke theksuar se “nuk kishte alternative tjetër”, por ta sulmonte Ukrainën për të mbrojtur banorët në rajonet lindore dhe për sigurinë e Rusisë. Ai tha se operacioni po shkon sipas planit, megjithë tërheqjen e madhe nga Kievi dhe humbjet e shumta.

Pasi nuk arritën të përparonin drejt Kievit, trupat ruse po përgatiten tani për një ofensive të madhe në rajonin lindor të Donbasit, ku forcat lokale separatise, që janë në aleancë me Rusinë, kanë qënë duke zhvilluar luftë kundër trupave ukrainase që nga viti 2014, kur Rusia njohu pretendimet e separatistëve për pavarësi nga Kievi.

Ekspertë ushtarakë thonë se Moska beson se mbështetja nga popullsia vendase, situata logjistike dhe terreni në këtë rajon, favorizojnë ushtrinë më të madhe dhe më të armatosur mirë të Rusisë ndaj asaj të Ukrainës.

Një qytet i rëndësishëm në këtë betejë është ai i Mariupolit, i cili ndodhet në Donbas dhe të cilin forcat ruse e kanë rrethuar duke e bombarduar që nga fillimi i luftës.

Pjesë të qytetit duket se janë ende nën kontrollin e Kievit, por nuk është e qartë sa forca kanë mbetur ende për ta mbrojtur qytetin.

Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrotjes tha se 1026 trupa ukrainase nga Brigada e 36 janë dorëzuar. Nuk është e qartë kur ka ndodhur dorëzimi i pretenduar.

Një këshilltar i presidentit ukrainas nuk bëri komente për këtë, por përmes një postimi në Twitter tha se elementë të kësaj brigade arritën të lidhen me forcat e tjera ukrainase në qytet përmes një manovre të rrezikshme.

(Zëri i Amerikës)