Joe Biden dhe Xi Jiping bisedojnë për Ukrainën

Uashington, 18 mars 2022 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, bisedoi sot në telefon me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, lidhur me Ukrainën.

Sipas medieve shtetërore kineze, Xi Jiping ka thënë se konfliktet dhe kontrontimet nuk janë në interesin e askujt.

 “Kriza e Ukrainës është diçka që nuk dëshirojmë ta shohim”, citohet të ketë tyhënë Jiping.

Ai i ka bërë thirrje presidentit  Biden që SHBA të marrë përgjegjësinë që i takonë dhe të bëjë më shumë përpjekje për ruajtjen e paqes në botë.

“Paqja dhe siguria janë thesaret më të çmuara të komunitetit ndërkombëtar”, raportohet të ketë thënë Jiping.

Sipas këtyre medieve, presidenti kinez ka thënë se marrëdhëniet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara nuk bën të degradojnë në konfrontim midis dy shteteve.

Para bisedës, Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se Presidenti Biden do të ngre shqetësimin që Kina e ka minimizuar agresionin e Rusisë në Ukrainë.

“Biseda është një mundësi për të vlerësuar se cili është pozicioni i Presidentit Xi”, ka thënë Psaki.

Shtëpia e Bardhë e ka paralajmëruar Pekinin se ofrimi i ndihmës ushtarake ose ekonomike Moskës që lidhet me agresionin rus në Ukrainë do të përballej me pasoja të ashpra nga Uashingtoni.

Të premten, Kina shprehu gatishmërinë të mbështesë negociatat për armëpushim dhe për ndihmë humanitare, ndërkohë që SHBA-të i akuzoi për “provokimin e Rusisë” dhe për”nxitjen e konfliktit” duke dërguar armë në Ukrainë.

Në ditët pasi Presidenti Putin urdhëroi forcat ushtarake ruse të ndërmarrin “operacion special” në Ukrainë, qeveria kineze u përpoq të distancohej nga ofensiva e Rusisë, por e kurseu Putinin nga kritikat.

Në fillim të kësaj jave, Uashingtoni i informoi aleatët aziatikë dhe evropianë se zbulimi amerikan kishte të dhëna se Pekini i kishte dhënë sinjale Rusisë se ishte i gatshëm t’i ofronte mbështetje ushtarake për operacionet e saj në Ukrainë.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të enjten se administrata e Presidentit  Biden ishte e shqetësuar për raportimet se Kina po shqyrtonte mundësinë për të ofruar pajisje ushtarake për Rusinë.

Ai tha se Presidenti Biden do t’ia bënte të qartë Presidentit Xi se Kina do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që ndërmerr në mbështetje të agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe se Uashingtoni nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime që do të kishin pasoja për këtë vend.

(Sipas Euronews dhe Zëri i Amerikës)