Presidenti Begaj kërkoi rishikimin e dokumenteve strategjike për sigurinë

Tiranë, 23 janar 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kërkoi sot nga institucionet kryesore të vendit që të rishikojnë dokumentat strategjikë që lidhen me sigurinë, nën dritën e zhvillimeve aktuale. Që kur u zgjodh në krye të shtetit, mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit kombëtar, është e dyta e thirrur nga presidenti Begaj, me synim analizën e gjendjes së sigurisë dhe përparësitë për vitin 2023

Në hyrje të mbledhjes, kreu i Shtetit, kujtoi sfidat me të cilat është përballur vendi gjatë vitit të shkuar, që nga ato natyrore, me përmbytjet në dimër dhe zjarret e shumtë në verë, te sulmi kibernetik apo dhe fenomenet e kriminalitetit, trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve, u shpreh presidenti Begaj.

Ai vuri teksin dhe të zhvillimet në rajon duke vënë theksin të “situata tepër delikate në veri të Kosovës” apo dhe të përpjekjet e “shteteve me interesa jo miqësore” të cilët siç u shpreh ai “nëpërmjet instrumentave të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë”.

Kreu i Shtetit ka folur dhe për ndikimet e agresionit rus në Ukrainë që “ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve”.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e Presidentit, gjatë mbledhjes, kreu i shtetit , duke vlerësuar “angazhimin e të gjitha institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare në fushën e tyre të përgjegjësisë”, ka kërkuar që “të trajtohen me prioritet procesi i rishikimit dhe hartimit të dokumentave strategjikë, Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokumentave strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale”. Presidenti Begaj ka theksuar se “këto dokumenta nuk duhet të jenë thjesht dokumenta formalë, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumentave të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrisin mirëqënien e qytetarëve, dhe sigurojnë mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtar të Republikës së Shqipërisë”.

(Zëri i Amerikës)