Presidenti Biden angazhohet për armëpushim mes Izraelit dhe palestinezëve

Uashington, 18 maj 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, në një telefonatë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të hënën, është shprehur për një armëpushim në luftimet midis Izraelit dhe militantëve palestinezë.

“Presidenti shprehu mbështetjen për një armëpushim dhe diskutoi mbi angazhimin e SHBA-së, me Egjiptin dhe partnerë të tjerë drejt këtij qëllimi”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk tregohet se cila ka qenë përgjigja e zotit Netanyahu ndaj sugjerimit të Presidentit Biden.

Presidenti Biden “inkurajoi Izraelin të bëjë çdo përpjekje për të siguruar mbrojtjen e civilëve të pafajshëm”, thuhet në njoftim.

“Presidenti përsëriti mbështetjen e tij të vendosur për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet e raketave”, thuhet më tutje në njoftim.

Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit gjithashtu “diskutuan lidhur me përparimin e operacioneve ushtarake të Izraelit kundër Hamasit dhe grupeve të tjera terroriste në Gaza.”

Të hënën, presidenti Biden dhe ndihmësit e tij punuan prapa skenave për të siguruar një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit.

Zoti Biden po përballet me presion në rritje nga ligjvënësit e partisë së tij, Partisë Demokrate, për të luajtur një rol më të madh në ndërprerjen e luftimeve mes Hamasit dhe Izraelit. Por, zyrtarët amerikanë thonë se Biden dhe ekipi i tij kanë zgjedhur të punojnë pa bujë, duke biseduar me zyrtarë izraelitë dhe me aleatë të Shteteve të Bashkuara në botën arabe.

(r.m.)

Comment

*