Presidenti Biden do të publikojë masat e reja për frenimin e pandemisë

Uashington, 2 dhjetor 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të bëjë publike të enjten kërkesa më të rrepta testimi për koronavirusin për udhëtarët e huaj që hyjnë në vend, zgjatjen e afatit për mbajtjen e maskave në avionë, trena dhe autobusë dhe do të njoftojë për dërgimin e miliona dozave të vaksinës për COVID-19 në vende të tjera muajt e ardhshëm.

Presidenti Biden do t’i paraqesë planet e administratës së tij për COVID-19 gjatë një fjalimi në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë ndërsa vendi hyn në periudhën e dimrit dhe është kofirmuar rasti i parë i variantit omicron në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë përpara fjalimit të zotit Biden se udhëtarëve do t’u kërkohet që të kenë një test negativ për COVID-19 jo më larg se një ditë para se të nisen për në Shtetet e Bashkuara, një ndryshim nga rregulli aktual që e kërkon rezultatin negativ brenda tre ditësh para nisjes. Rregulli do të zbatohet si për shtetasit amerikanë ashtu edhe për shtetasit e huaj.

Detyrimi për mbajtjen e maskave në transportin publik dhe në aeroporte do të skadonte më 18 janar dhe ky afat pritet të zgjatet deri në mars.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, administrata e presidentit Biden po zotohet të dorëzojë 200 milionë doza të tjera vaksinash për vendet e tjera gjatë 100 ditëve të ardhshme. Në Shtetet e Bashkuara do të ketë një fushatë ndërgjegjësimi publik dhe përpjekje për t’i inkurajuar njerëzit të marrin vaksina përforcuese të COVID-19.

Një pjesë tjetër e planit të administratës është që t’i ofrojë falas testet shtëpiake për ata që mbulohen nga planet private të sigurimit shëndetësor. Dhe për shtetet po përjetojnë një rritje të infeksioneve, do të vihen në dispozicion ekipe urgjence për të ndihmuar spitalet e mbingarkuara.

Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend dhe këshilltari kryesor për shëndetësinë i zotit Biden, theksoi nevojën e vaksinimit, përfshirë dozat përforcuese, kur foli për variantin omicron para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.

Ai tha se ka 60 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara që kanë të drejtën të vaksinohen por nuk e kanë bërë një gjë të tillë, dhe se rritja e përgjigjes imune të ofruar nga injeksionet përforcuese do të ndihmojë në parandalimin e rasteve të rënda nëse dikush është i infektuar nga varianti omicron.

“Mendoj se ajo që po ndodh tani është një shembull tjetër se pse është e rëndësishme që të vaksinohen ata që nuk janë vaksinuar,” than Dr. Fauci.

Rasti i parë i konfirmuar në SHBA me variantin omicron të koronavirusit u zbuluar në shtetin perëndimor të Kalifornisë, thanë të mërkurën zyrtarët e shëndetësisë të Shteteve të Bashkuara.

Personi u kthye nga një udhëtim në Afrikën e Jugut më 22 nëntor dhe rezultoi pozitiv të hënën, u tha Dr. Fauci gazetarëve.

Fauci tha se personi kishte simptoma të lehta të koronavirusit, ishte në vetëizolim dhe po e merrte veten. përmirësohej. Personi ishte plotësisht i vaksinuar, tha ai, por ende nuk kishte marrë një vaksinë përforcuese.

Ky rasti i radhit Shtetet e Bashkuara në listën në rritje të të paktën 24 vendeve ku është zbuluar varianti.

(Zëri i Amerikës)