Presidenti Biden merr masa të reja për uljen e çmimit të naftës

Uashington, 31 mars 2022 – Presidenti Joe Biden urdhëroi futjen në treg për gjashtë muaj të 1 milion fuçive nafte në ditë nga rezervat strategjike të vendit me naftë, në një përpjekje për të ulur çmimin e saj, që shënoi një rritje të re me fillimin e agresionit të Moskës në Ukrainë.

“Nëse duam çmime më të ulëta të gazit, duhet të kemi më shumë furnizim me naftë, tani”, tha Presidenti Biden, të enjten.

“Ky është një moment pasojash dhe rreziku për botën dhe dhimbjeje tek pikat e karburantit për familjet amerikane”, shtoi ai.

Presidenti Joe Biden i akuzoi kompanitë amerikane të naftës se po gëzojnë fitime rekorde, ndërsa amerikanët po paguajnë çmime të larta për benzinën.

“Kjo nuk është koha për fitime rekord, është koha për veprime për të mirën e vendit tuaj”, tha Biden, duke iu drejtuar kompanive të naftës.

Presidenti Biden po i kërkon Kongresit t’u vë gjoba financiare kompanive të naftës dhe të gazit në vend që japin me qira toka publike, por nuk prodhojnë.

Ai synon të miratojë një ligj federal për të inkurajuar masat që synojnë kalimin tek burimet e pastra të energjisë, në mënyrë që të zvogëlohet varësia nga kaburantet fosile.

Administrata Biden synon që me këto masa, siç është futja në përdorim e rezervave të naftës, të ushtrojë trysni për të ulur çmimin, por masat që janë marrë deri më tash nuk kanë rezultuar me ndonjë ndryshim domethënës në tregun e naftës.

Futja në treg e një milion fuçive naftë në ditë është një mënyrë për të rritur furnizime. Ajo konsiderohet si një zgjidhje e përkohshme, derisa kompanitë e naftës të rrisin prodhimin.

Masa e publikuar të enjten nga Presidenti Biden është më e madhje e kësaj natyre në historinë afro 50-vjeçare të vendit.

Çmimet e naftës ranë me 3% pas njoftimit të këtij lajmi, në rreth 104 dollarë për fuçi.

Rezerva strategjike e naftës u krijua pas krizës së naftës të vitit 1973 e për t’u përdorur në rast fatkeqësish natyrore apo problemesh që lidhen me sigurinë kombëtare. Rezervat prej rreth 600 milionë fuçish ruhen përgjatë brigjeve të Teksasit dhe Luizianës.

Ligjvënësit republikanë thonë se problemi qëndron tek administrata Biden, e cila, sipas tyre, është armiqësore ndaj kompanive që kanë leje për shfrytëzimin e burimeve të naftës apo dhe ndaj ndërtuesve të gazjellësave të rinj, sikurse “Keystone XL”.

Senatori republikan Steve Daines i kritikoi masat e fundit të Presidentit Biden. Ai tha se shfrytëzimi i rezervës strategjike pa ndërmarrë më parë hapa për të rritur prodhimin e naftës dhe të gazit në vend “është një lëvizje e dëshpëruar që e shmang zgjidhjen e vërtetë, investimin në kapacitetet prodhuese amerikane të energjisë”, veçanërisht në ato të naftës dhe të gazit.

(Sipas Zërit të Amerikës)