Presidenti Biden nderon viktimat e masakrës së Tulsës

Uashington, 2 qershor 2021 – Presidenti Joe Biden u bë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që shënon përvjetorin e masakrës në Tulsa të shtetit Oklahoma në vitin 1921, kur një turmë e bardhë shkatërroi një komunitet afrikano-amerikan duke vrarë 300 persona dhe duke shatërruar mijëra shtëpi.

Në vitin 1921, Greenwood ishte një komunitet afrikano-amerikan i begatë në Tulsa të Oklahomës, që përfshinte një lagje të njohur si Wall Street-i i afrikano-amerikanëve.

Një turmë e bardhë, me ndihmën e një departmenti policie me pjesëtarë krejtësisht të bardhë, dogji lagen Greenwood, duke lënë qindra të vdekur dhe mijëra të pastrehë.

Një kapitull i errët i historisë së vendit, që ishte lënë në heshtje për dekada të tëra.

“As banorët në Tulsa nuk dinin për të deri vonë”, tha Demetrius Williams, banor i Tulsës.

Të martën, Presidenti Joe Biden vizitoi Qendrën Kulturore Greenwood. Ai është presidenti i parë amerikan që shënon përvjetorin e ngjarjes tragjike në Tulsa.

“Këto nuk ishin trazira. Kjo ishte një masakër”, tha Presidenti Biden.

Ai u takua me tre të mbijetuar të masakrës, të gjithë mbi 100 vjeç.

“Ju jeni tre të mbijetuar të një historie, që është lënë në harresë. Por jo më. Tani, historia juaj do të njihet plotësisht”, shtoi zoti Biden.

Ndërsa debati kombëtar është përqëndruar më shumë në racizmin sistemik dhe lëvizjen “Black Lives Matter”, masakra e Tulsës është mbuluar për dekada.

“Inçizimet u fshinë nga Bashkia e qytetit, u fshinë nga bibloteka. Ata mbuluan qëllimisht tërë historinë. Edhe tani, vërehet një përpjekje e vazhdueshme për të fshehur historinë e racizmit dhe supremacinë e bardhë në këtë vend”, tha Steve Philips nga organizata “Demokracy in Color”.

Një shekull pas masakrës, afrikano-amerikanët vazhdojnë të diskriminohen. Sipas të dhënave të qeverisë, një familje e bardhë ka tetëfishin e pasurisë së një familjeje afrikano-amerikane. Dallimet u thelluan edhe më shumë gjatë pandemisë.

Presidenti Biden prezantoi hapat për të ngushtuar hendekun, duke përfshirë planin për të investuar dhjetëra miliarda dollarë në komunitete të lëna pas dore, zgjerimin e kontratave federale me bizneset në pronësi të pakicave dhe shfuqizimin e dy rregullave të udhëheqjes së Presidentit Trump që kufizojnë praktikat e drejta të strehimit.

Por ai nuk përmendi dëmshpërblimet, qoftë për të mbijetuarit e masakës në Tulsa apo skllavërimin e afrikano-amerikanëve.

“Është hipokrizi që ne të dalim nëpër botë dhe të përpiqemi të kërkojmë nga vendet tjera të trajtojnë qytetarët e tyre si duhet, që të jenë të drejtë kur Amerika nuk është e drejtë dhe ende nuk e ka shlyer masakrën më të keqe në historinë amerikane”, tha Robert Turner nga Kisha historike Vernon.

Vizita e Presidentit Biden vjen në një kohë kur shumë shtete konservatore po bëjnë presion për ligje të reja votimi. Republikanët thonë se duan të ulin mashtrimet, por demokratët thonë se qëllimi i vërtetë i tyre është ta vështirësojnë votimin për afrikano-amerikanët dhe pakicat e tjera.

Zoti Biden emëroi nënpresidenten Kamala Harris për të udhëhequr përpjekjet e administratës në zgjerimin e të drejtave të votimit.

(Zëri i Amerikës)