Presidenti i Letonisë: Kosova të pranohen në programin e Partneritetit për Paqe

Prishtinë, 22 prill 2022 – Presidenti i Letonisë, Egils Levits, tha sot se arkitektura e sigurisë në Evropë duhet të ndryshojë pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ndërsa bëri thirrje që Kosova të përfshihet në Programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n si rrugë drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, ku u takua me udhëheqës të institucioneve të Kosovës. Presidenti Levits tha se Letonia dhe Kosova ndajnë histori të ngjashme dhe se të dyja vendet po e ruajnë demokracinë dhe pavarësinë e tyre.

“Nëse shohim në tërësi situatën e sigurisë në Evropë e shohim se ka një ndryshim këta dy muajt e fundit pas agresionit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës dhe arkitektura e sigurisë e Evropës duhet të ripërtërihet e bazuar në realitet, e ky realitet është se ne duhet të përballemi me një Rusi agresive, dhe gjithashtu shtetet evropiane, NATO-ja, si aleancat më të rëndësishme dhe të gjitha vendet evropiane duhet të bazojnë konceptin e mbrojtjen së tyre mbi realitetin”, tha ai duke nënvizuar se është e rëndësishme të forcohet bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe Kosovës.

“Dhe si hap i parë i nevojshëm është që Kosova t’i bashkohet programit për Partneritet për Paqe dhe mendoj se tani është koha të hidhet ky hap. Është në dorën e NATO-s të vendosë për këtë dhe ky do të ishte një fillim për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe NATO-s dhe ne e mbështesim fuqishëm këtë hap”, tha ai.

Presidenti Levits tha se të gjitha shtetet kandidate për integrime evropiane duhet të jenë në një vijë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

“Dhe nëse një shtet kandidat nuk është në vijë në një çështje kaq shumë të rëndësishme normalisht që përparimi i mëtutjeshëm drejt rrugës së pranimit në Bashkimin Evropian do të ngadalësohet dhe do të thosha që ky shtet kandidat do të bllokonte veten”.

Ai tha se Letonia e sheh shumë të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare posaçërisht në Këshillin e Evropës. Presidenti Levits shprehu besimin në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë…

“Por nëse nuk ka përparim atëherë ka rrugë tjera se si Kosova mund të integrohet më shumë në kornizën evropiane”, tha ai.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dështuan të enjten arrijnë një marrëveshje për përdorimin e targave të makinave, mospajtimet rreth të cilave nxitën tensione të larta në mes të dyja vendeve fundverën e kaluar.

Dita e djeshme ishte caktuar si afat për një marrëveshje përfundimtare rreth kësaj çështjeje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se marrëveshjet po bllokohen nga Serbia e cila sipas saj nuk po i pranon parimet dhe standardet evropiane.

“Kosova ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshja ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja në përputhje me kriteret, parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po e shkakton pala tjetër, në këtë rast po e shkakton Serbia. Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje, ajo çka mund të ju siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe Kosova do të vazhdojë të jetë palë e cila respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane”, tha Presidentja Osmani.

Kosova dhe Serbia që nga fillimi i tetorit i vitit të kaluar zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve. I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se i ka ftuar kryenegociatorët “të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara ndërsa theksoi se pret që palët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)