Presidenti i ri i Shqipërisë pritet të zgjidhet të shtunën

Tiranë, 31 maj 2022 – Presidenti i ri i Shqipërisë, me shumë gjasa, pritet të zgjidhet të shtunën e ardhshme, kur do të zhvillohet dhe raundi i katërt i votimit

Konferenca e kryetarëve të Kuvendit e miratoi propozimin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për dorëzimin e propozimeve të kandidatëve deri të shtunën në mesditë, ndërsa seanca e Kuvendit ku do të votohet për kandidatin do të mbahet në orën 18.00.

Socialistët e kanë thirrur mbledhjen e kryesisë të premten nëmbrëmje, kur kryeministrit Edi Rama pritet të kthehet nga Nju Jorku. Në këtë mbledhje pritet të vendoset për kandidatin për president. Nuk dihet nëse në mbledhjen e kryesisë do të propozohen një apo më shumë emra, nga të cilët do të mund të përzgjidhet një kandidat.

Kandidati që do të përcaktohet nga kryesia e partisë do t’i paraqitet grupit parlamentar të shtunën paradite, ku do të caktohen deputetët që do ta dorëzojnë formalisht kandidatin.

Në raundin e katërt të procesit, presidenti zgjidhet me shumicën e thjeshtë të përbërjes së Kuvendit apo së paku 71 vota. Në këtë raund sociaistët kanë vota të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit.

Tri raundet e para të procesit u konsumuan pa asnjë kandidaturë, për shkak se shumica dhe opozita nuk arritën pajtim për të zjedhur Presidnet një kandidat konsensual.

Opozita e fajëson mazhorancën socialiste se nuk kishte vullnet për zgjedhjen e një presidenti konsensual, të paanshëm politkisht, ndërsa mazhoranca e fajëson opozitën për mosgjetjen e një kandidati që do të votohej nga të dyja blloqet në kuvend.

(r.m.)