Presidenti i Sirisë e shfuqizon postin e Myftiut

Damask, 16 nëntor 2021 – Presidenti sirian Bashar al-Assad ka nxjerrë një dekret që eliminon postin e Myftiut (klerikut më të lartë mysliman).

Vendimi zgjeron kompetencat e një ministrie qeveritare që mbikëqyr çështjet fetare.

Dekreti i ri, për të cilin media shtetërore tha se hyri në fuqi të hënën (15 nëntor), detyron Ahmed Badreddin Hassoun, i emëruar si Myfti i madh nga Assad më 2004, të dalë në pension.

Kompetencat e tij do të kalojnë te një këshill që vepron nën ministrinë e çështjeve fetare, i cili tashmë mbikëqyr çështjet islamike në Siri, tha agjencia zyrtare e lajmeve SANA.

Këshilli mbi Ligjet Islame tani e tutje do të përcaktojë kalendarin hënor dhe do të marrë vendime për çështjet që kanë të bëjnë me ritualet dhe ritet fetare, tha SANA.

Agjencia e lajmeve nuk dha hollësi mbi arsyet e këtij vendimi, por ai pason përpjekjet disa vjeçare të qeverisë për të zgjeruar mbikëqyrjen shtetërore të çështjeve fetare.

Në vitin 2018, Assad nxori një dekret që kufizoi mandatin e myftiut.

Ai gjithashtu zgjeroi pushtetin e ministrit të vakëfit, duke e lejuar atë të emërojë Myftiun, i cili më parë ishte emëruar nga Presidenti.

Legjislacioni nxiti polemika, me shumë në mediat sociale, duke thënë se ishte ndërhyrje e shtetit në çështjet fetare.

Disa thanë se kjo ishte një mënyrë për të rregulluar diskursin fetar në përpjekje për të “luftuar ekstremizmin”.

Më shumë se 400.000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 12 milionë njerëz janë zhvendosur, që kur shpërtheu lufta civile në Siri, pas një goditje ndaj protestuesve antiqeveritarë nga presidenti Sirian Bashar al-Asad në mars të vitit 2011.

(REL)