Presidenti i Ukrainës bën thirrje për masa më të ashpra ndaj Moskës

Kiev, 25 shkurt 2022 – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje Perëndimit për masa më të ashpra ndaj Moskës.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti Biden kishte patur një bisedë telefonike me zotin Zelenskyy.

“Vlerësova veprimet e guximshme të popullit ukrainas që po lufton për të mbrojtur vendin e vet. Përcolla gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme ekonomike, humanitare dhe të sigurisë që jepet nga Shtetet e Bashkuara, si dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për të mobilizuar vendet e tjera për të ofruar ndihmë të ngjashme”, tha Presidenti Biden përmes një deklarate.

Vetë kryeministri i Ukrainës shkruante në Twitter se kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara ashpërsimin e sanksioneve dhe ndihmë konkrete ushtarake.

Ndërkohë Departamenti i Shtetit tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken pati një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, ku ai ofroi mbështetje ndaj Ukrainës dhe dënoi vdekjen e civilëve, përfshirë ato të fëmijëve ukrainas, për shkak të sulmeve ajrore dhe goditjes me raketa brenda dhe përreth Kievit.

“Sekretari shprehu indinjatën për taktikat brutale të Kremlinit dhe nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Zoti Blinken i tha gjithashtu Ministrit të Jashtëm Kuleba se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Ukrainën për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër agresionit rus.

Më herët të premten presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kishte thënë se Ukraina është e vetme në mbrojtjen e saj.

“Forcat më të fuqishme në botë shikojnë nga larg. A e kanë bindur Rusinë sanksionet e djeshme? Ne shohim në qiell dhe gjendjen në terren dhe ndjejmë se ato nuk janë të mjaftueshme”, u tha ai ukrainasve.

Ai i bëri thirrje Perëndimit për masa më të ashpra ndaj Rusisë duke shprehur keqardhjen për atë që ai e përshkroi si “mbështetje shumë të ngadaltë” nga Perëndimi.

“Kur bombat bien në Kiev, kjo ndodh në Evropë, jo vetëm në Ukrainë. Kur raketat vrasin njerëzit tanë, do të thotë që vdesin evropianë. Unë kërkoj më shumë siguri për Evropën, më shumë mbrojtje për Ukrainën si pjesë e një bote demokratike”, tha ai.

(Zëri i Amerikës)