Presidenti Ilir Meta: “Rilindja” shkretoi vendin

Sipas presidentit Ilir Meta, Shqipëria ka në vit 50 mijë qytetarë më pak edhe përtej edhe skenarit më negativ të parashikueshmërisë së zvogëlimit demografik

Knid Ndrenika

Presidenti Ilir Meta bëri thirrje për të ndalur atë që e quajti “shkretim” të Shqipërisë nga largimet masive, veçanërisht të rinjve jashtë vendit.

Zoti Meta tha se ishte alarm i kuq treguesi demografik i Institutit të Statistikës, INSTAT, për emigracionin.

Në një postim në fejsbuk, presidenti shkruajti këta tregues demokrafikë “dëshmojnë për zbrazjen katastrofike të vendit”.

Sipas zotit Meta, Shqipëria ka në vit 50 mijë qytetarë më pak edhe përtej edhe skenarit më negativ të parashikueshmërisë së zvogëlimit demografik.

“Thënë ndryshe çdo vit fshihet nga harta popullsia e një qyteti mesatar. Ky është një alarm i kuq për ndaljen sa më parë dhe me çdo kusht të këtij shterrimi asgjësues të popullit”-shkruajti ai.

Për presidentin Meta, “ky model “zhvillimi” nuk është gjë tjetër veçse model dëshpërimi dhe asgjësimi”.

“Koha për të ndalur këtë shkretim, të programuar të vendit nga “Rilindja” lokale dhe ndërkombëtare”-përfundon postimi i presidentit.

INSTAT-i raportoi në fundjavë se Shqipëria më 1 janar 2022 shënoi 2 milionë e 793 mijë e 592 banorë ose 36 mijë banorë, apo 1,3 për qind më pak se sa në 1 janar 2021.

Sipas INSTAT-it, ky është viti i pestë radhazi me rënie të numrit të banorëve në Shqipëri.