Presidenti luftëhapës Putin uron të zgjedhurin Bajram Begaj

Bajram Begaj është i teti president emëror dhe i nënti në radhë pas rrëzimit të diktaturës si dhe i 11-i në sistem demokratik që nga koha përpara Luftës së Dytë Botërore

Knid Ndrenika

Ambasada e Federatës Ruse njoftoi se presidenti Vladimir Putin ka uruar për zgjedhjen në krye të shtetit të Shqipërisë, gjeneralmajorin Bajram Begaj.

Ndonëse me marrëdhënie thuajse të shkëpturara shkak pushtimi që Rusia i bën Ukrainës dhe me asete të ngrira, kreu i Kremlinit, luftëhapësi Vladimir Putin ia ka dërguar urimin presidentit të zgjedhur.

“Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i ka përcjellë urime z.Bajram Begaj për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe i uroi shëndet dhe suksese në detyrën e tij më të lartë shtetërore”, – njoftoi ambasada ruse në Tiranë.

Gjeneralmajori Bajram Begaj dha dorëheqjen më 3 qershor si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe një ditë më pas u zgjodh më 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim president i ri i Shqipërisë.

Në seancën plenare të Kuvendit të shtunën e 4 qershorit morën pjesë 103 deputetë dhe 83 sosh votuan.

Zoti Begaj është i teti president emëror dhe i nënti në radhë pas rrëzimit të diktaturës si dhe i 11-i në sistem demokratik që nga koha përpara Luftës së Dytë Botërore.

Në histori zoti Begaj është i katërti president me të shkuar ushtarake pas Ahmet Zogut, Alfred Moisiut dhe të ndjerit Bujar Nishani.

55-vjeçari Begaj me profesion mjek e merr detyrën nga presidenti Ilir Meta më 24 korrik me mandat 5-vjeçar.

Presidentët e Shqipërisë pas rrëzimit të komunizmit:

1-Ramiz Alia 1991-1992
2-Sali Berisha 1992-1997
3-Sali Berisha 1997-1997
4-Rexhep Meidani 1997-2002
5-Alfred Moisiu 2002-2007
6-Bamir Topi 2007-2012
7-Bujar Nishani 2012-2017
8-Ilir Meta 2017-2022
9-Bajram Begaj 2022-2027