Presidenti Meta: Nëse harrojmë historinë, tragjeditë përsëriten

Mesazhi në facebook  nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit na sjell sot në vëmendje jetët e pafajshme të martirizuara në emër të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, dhembjet dhe sakrificat e mijëra të burgosurve e të persekutuarve, të mbijetuar të terrorit, krimeve dhe shtypjes në kampet e vdekjeve dhe internimeve.

Nderimi i kujtimit të tyre duhet të ushqejë angazhimin tonë të përbashkët dhe të pandalshëm për të zhvilluar, mbrojtur dhe respektuar demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut, për të mos e ndalur luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit, intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.

Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.

Vetë integrimi europian ka në themel aleancën e popujve të lirë kundër diktaturave dhe regjimeve hibride. 🇦🇱🇪🇺