Presidenti Meta publikon kallëzimin penaj ndaj Kuvendit të Shqipërisë

Tiranë, 9 shkurt 2022 – Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zbardhur kallëzimin e bërë në SPAK dhe në Prokurorinë e Tiranës ndaj Kuvendit, për manipulimin e provave të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij.

“Në kuadër të transparencës përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë, ju ftoj të njiheni me Kallëzimin Penal të depozituar sot, për skandalin e rëndë të Kuvendit, manipulimin e provave para Gjykatës Kushtetuese”, shkruan meta në facebook.

Kallëzimi i plotë është publikuar në faqen zyrtare të Presidencës. Aty theksohet se dokumentat e sjella nga përfaqësuesit e mazhorancës në Kuvend në Gjykatën Kushtetuese janë falsifikuar.

Shkeljet i evidentoi përmes një komunikimi për media dhe përfqaësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, të martën.

“Përmban edhe elemente të karakterit penal ku mund të jenë përfshirë 1-2, disa zyrtarë të lartë administrativë të Kuvendit apo ish-funksionarë të lartë të nivelit politik që janë objekt procedimi nga struktura e Posaçme. Kjo është arsye që kallëzimi i paraiqtet edhe SPAK edhe Prokurorisë së Tiranës”, tha Dervishaj.

“U evidentua qartë edhe përpara Gjykatës Kushtetuese faktet e manipulimit të disa akteve shkresore që Kuvendi i depozitoi pa ia kërkuar njeri. Nga krahasimi i dokumentave të sjella nga Kuvendi i Shqipërisë, brenda përmbajtjes së dy dokumentave rezultonin ndryshime thelbësore në datë dhe në përmbajtje të pikës 20 ku përcaktohej rendi i ditës së datës 7. Përmes këtyre manipulimeve tentohej të orientohej Kushtetuesja drejt një datë 5 që të tentohej rrëzimi i pretendimeve të Presidentit dhe kishin të bënin me afatin 48 orë. Manipulimi është i dukshëm, data 6 ndryshon nga data 5, përmbajtja e urdhrit ndryshon. Ajo që ishte jo konsistenca e veprimit, që në hyrje të seancës gjyqësore kur kryetarja Tusha celi seancën dhe informoi palën që kanë ardhur prova të reja, pala reja deklaron se këto prova i kemi sjellë për të rrëzuar pretendimet e Presidentit. Por do t’i rrëzonin përmes ndryshimeve të datave dhe përmbajtjes. Për të justifikuar që kemi respektuar 48 orëshin“, u shpreh ai.

Për të lexuar kallëzimin e plotë (kliko këtu)

(BalkanWeb)