Presidenti Meta hap aplikimin për gjyqtar kushtetues me 9 vjet mandat

Presidenti i Republikës, pasi u njoh me njoftimin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese nr.11 prot., datë 07.01.2022, përmes të cilit bëhet me dije se, Gjykata Kushtetuese me vendim nr. 42 datë 22.12.2021[1], ka vendosur; “Deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Përparim Kalo, në datën 08.04.2022”, duke u konstatuar kështu ligjërisht fakti se në datë 08.04.2022 në Gjykatën Kushtetuese krijohet një vakance me mandat të plotë, për shkak se kjo datë konsiderohet përfundimi i mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo (i cili u emërua në këtë gjykatë, në plotësim të vakancës së parakohshme të shkaktuar nga largimi i parakohshëm nga detyra të ish-gjyqtarit z. Besnik Imeraj, dhe sipas nenit 127, pika 3 të Kushtetutës, qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar), në mbështetje të nenit 93, 125, 127 pika 1/b, 3, 179 pika 2 dhe 3 të Kushtetutës, si dhe të neneve 7, 7/a, 7/b, 86 pika 4 shkronja “d”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Presidenti i Republikës me cilësinë e organit të emërtesës dhe me qëllim plotësimin e “Vakancës së plotë”, me mandat 9-vjeçar që krijohet në Gjykatën Kushtetuese, në datën 8.4.2022, me Dekretin nr. 13 413, datë 13.01.2022, ka miratuar:

Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së plotë”, me mandat 9-vjeçar, që krijohet më datë 08.04.2022.

Presidenti i Republikës fton:

Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e vendit, nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurrimit të hapur publik, për vakancën e mësipërme, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës:

Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të shpallur;
Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (adresë,numër telefoni/e-mail);
Fotokopje të kartës së identitetit;
Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit, është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës.
Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular ky i cili është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës.
Listën e dokumentacionit që dorëzohet bashkëlidhur kërkesës të nënshkruar nga aplikanti.
Për lehtësinë e të gjithë aplikantëve, me qëllim plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, më poshtë gjeni të botuar përmbajtjen e nenit 125, pika 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ku parashikohen kushtet dhe kriteret për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.