Presidenti Obama dhe kryeministri turk Erdohan bisedojnë mbi Sirinë

Presidenti Barak Obama tha se ai dhe Kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdohan do ta vazhdojnë trysninë mbi Presidentin e Sirisë Bashar al-Asad, që t’i japë fund shtypjes së përgjakshme të kryengritjes.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi të enjten në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se dy vendet aleate do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të mbështetur opozitën siriane në betejën e saj dy vjeçare për t’i dhënë fund regjimit autokratik të Presidentit Asad.
Zoti Erdohan tha se ai dhe zoti Obama po ashtu ranë dakort që në Siri duhet të respektohen të drejtat e të gjitha pakicave. Një zyrtar i lartë turk, i cili po shoqëron kryeministrin Erdohan në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se për Ankaranë ndalimi i vrasjeve pa dallim nga ana e qeverisë së zotit Asad është një përparësi.
Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, tha ai, mund ta arrijnë këtë objektiv, vetëm duke bindur gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrin veprime.